Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë se si u shpenzuan paratë për mbrojtjen kibernetike, prokuroria e policia vendosin të gjejnë zgjidhjen duke bllokuar lajmet në media. Pa asnjë vendim dhe vetëm me një tekst të çuditshëm në whatsapp thuhet se publikimi i sekreteve të policisë të grabitura nga iranianët, sjell cënim të sigurisë kombëtare. Nga ana tjetër avokatët shprehen se kërkesa është e pavlefshme pa një vendim gjykate.
Që prej sulmeve të para të hakerave nuk ka asnjë hetim për fondet e dhëna për sigurinë kibernetike, por në mënyrë të paprecedentë dhe me një formë ofenduese prokuroria dhe policia kanë njoftuar se media nuk duhet të publikojë të dhënat e institucioneve shtetërore të marra nga sulmi iranian.
Si asnjëherë tjetër, njoftimi u shpërnda me tekst, pa shkresë dhe me shumë enigma në një grup whatsappi.
E pas kësaj as akuza e as policia nuk guxojnë të japin një informacion zyrtar, teksa në mesazh përmendet siguria kombëtare.