Mazhoranca socialiste ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me ndryshimet në ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin. Ka qenë zv/kryeministri Erjon Braçe ai që deklaroi ditën e djeshme se 4 rajonet e përmendur nga opozita kanë 5-6 vite që janë funksionalë.
Madje, zoti Braçe theksoi se ky projektligj nuk u merr asnjë qindarkë bashkive, por u jep, duke rrëzuar kështu pretendimet e opozitës jo parlamentare. “Këto rajone për të cilat flasin ata dhe që iu referoheni ju kanë nja 5 a 6 vite që janë funksionalë, si rajone zhvillimi ku adresohen politikat e qeverisë. Nuk dua asnjë qindarkë, dhe ky projektligj nuk merr asnjë qindarkë të bashkive, nuk merr asnjë qindarkë të këshillit të qarkut. Përkundrazi, jep”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, numri 2 i qeverisë, ka shtuar se kompetencat e bashkive nuk do të preken nga ky ligj, ndërsa ka zbuluar se ligji është hartuar me ndihmën e qeverisë zvicerane dhe austriake. “Ky ligj, të cilit iu referuan dje të marrët si një instrument që do të zhvatë fondet e Bashkimit Europian, që iu merr kompetencat bashkive, këshillave të qarqeve, nuk është hartuar nga unë, as nga dikush tjetër këtu në Këshillin e Ministrave.
Ky ligj është hartuar me ndihmën e qeverisë zvicerane e austriake”, u shpreh ai. Ndërkohë pretendimet e opozitës, se me këtë ligj kryeministri Rama kërkon t’i marrë kompetencat pushtetit lokal, zv/kryeministri Braçe i ka quajtur gënjeshtra imagjinare. “Këto janë paranoja të ca humbësve”, nënvizoi zv/kryeministri Erjon Braçe.
Kujtojmë që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim d.enoncuan ndryshimet në ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, i cili e ndan Shqipërisë në 4 rajone të mëdha, të cilët i përgjigjen kryeministrit. Opozita e bashkuar, tha se ky ligj kishte kaluar më 30 korrik në Parlament, në momentin kur të gjithë sytë dhe veshët ishin nga ndryshimet kushtetuese. Dhurata Çupi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, thanë se ndryshimet në ligj dobësojnë pushtetin lokal dhe rrisin fuqinë e pushtetit qendror.