Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” në lidhje me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos. Në reagim Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shkruan se sot sot ka ndërruar jetë Kryepeshkopi Anastas i cili ishte i shtruar në Spitalin “Evangelismos” të Athinës.
Më tej në reagim shkruhet se Kryepeshkopi Anastas ishte një nga themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe kryetar i KNFSH-së për 2 mandate. Këshilli Ndërfetar, Bordi i Presidencës, Kryetari i KNFSH-së, Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë shprehën ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.
Reagimi i plotë:
Sipas njoftimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, sot më 25 Janar 2025 ndërroi jetë Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi. Ai ishte i shtruar në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.
Kryepeshkopi Anastas ishte një nga themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, kryetar i KNFSH-së për 2 mandate (2018-2020 dhe 2024). Me këtë rast i gjithë Këshilli Ndërfetar, Bordi i Presidencës (kryetarët e të gjitha komuniteteve fetare H. Bujar Shpahiu, H. Dede Edmond Brahimaj, Pastor Ergest Biti), Kryetari i KNFSH-së për vitin 2025 Mons. Gjergj Meta, Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë shprehin ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe! Pushoftë në paqe!
Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar. Pas disa ditësh i shtruar në spital ai iu nënshtrua edhe një operacioni ku ka qëndruar në terapi intensive derisa më 25 janar u nda nga jeta.