Shqipëria në sytë e ndërkombëtarëve nuk është asgjë tjetër, veçse një vend ku politika ka në dorë gjithçka dhe bën ç’është e mundur për t’u pasuruar.
Në vendet demokratike votuesi është në qendër të shtetit, por si duket në Shqipëri votuesi vlerësohet vetëm gjatë fushatave. Sipas një raporti të fondacionit gjerman “Bertelsmann”, në Shqipëri partitë të gjitha janë njësoj dhe mbështetin vetëm militantët e tyre.
Sipas tij PS e PD nuk kanë shumë dallime, ndërsa LSI cilësohet si parti familjare. Sipas raportit, Rama në qeveri ka futur të besuarit e tij, ndërsa Basha po ashtu ka futur në parti të besuarit e tij. “Riorganizimi i strukturave drejtuese në parti, zakonisht nënkupton një spastrim të gradave partiake në favor të atyre të cilët janë besnikë të udhëheqësit. Zgjedhjet e vitit 2018 në PD konfirmuan ristrukturimin mbi bazën e vetme: besnikëria e dëshmuar ndaj udhëheqësit.
Në mënyrë të ngjashme, riorganizimi i kabinetit të PS i vitit 2018 solli personalitete që kishin një background të varfër për sa i përket përvojës së punës dhe madje edhe bagazheve politike përveçse lidhjeve personale me kreun e PS që është edhe kryeministri aktual”, thuhet në raport. Sa i takon LSI, ajo cilësohet si parti e presidentit. Sipas raportit, Meta u bë president, por vijon t’i shërbejë asaj, ndërsa emërimin e Kryemadhit kryetare e sheh si diçka të pazakontë.
“Në rastin e LSI, zgjedhja e drejtuesit të saj si president i vendit, hapi mundësinë për të zëvendësuar udhëheqësin me gruan e tij. Tregues të ndryshëm joformalë tregojnë se kryesisht anëtarët e familjes së liderëve të partisë, edhe kur nuk janë pjesë e organeve të partisë priren të luajnë një rol thelbësor”, thuhet më tej.
Promovimi i të korruptuarve
Sipas raportit, përveç problemit që paritë kryesore rrotullohen vetëm rreth kryetarëve të tyre, shqetësim akoma më i madh është pandëshkueshmëria. Gjermanët shprehen se gjyqësori është i lidhur me politikën dhe kjo ka bërë që të korruptuarit sot të enden të lirë. “Zyrtarët që shkelin ligjin dhe përfshihen në korrupsion përgjithësisht nuk janë ndjekur penalisht.
Rrjetet e patronazhit politik brenda gjyqësorit kanë ndihmuar për të mbuluar dhe lehtësuar, madje edhe abuzimet të cilat janë shumë të përhapura në zyrat publike, përfshirë edhe vetë radhët e gjyqësorit. Si pasojë, politikanët shpesh akuzohen për abuzime me detyrën, por janë pak a shumë të përfshira të gjitha hallkat, të cilat krijojnë një rreth vicioz midis politikanëve të korruptuar, kontrollit të gjyqësorit, pandëshkueshmërisë dhe qeverisjes së dobët”, thuhet në raport.
Fasada institucionale
Më tej përmendet dhe reforma në drejtësi, e cila sipas gjermanëve do të dojë kohë të japë rezultate. Sipas raportit, në Shqipëri nuk ka ndryshim pushteti, por thjesht ndërrim mes të korruptuarve. “Me gjithë ndryshimet e shpejta, këmbëngulëse dhe gjithëpërfshirëse institucionale, shqiptarët priren të besojnë se një grup politikanësh të partive të korruptuara thjesht zëvendësojnë një grup tjetër dhe se ndryshimet e shpeshta institucionale janë vetëm një fasadë që mbulon modele të vazhdueshme dhe të vjetra të korrupsionit.
Korrupsioni i vazhdueshëm, veçanërisht në nivelet më të larta të politikës dhe pushtetit, kapitalizohet mbi një gjyqësi të dobët dhe të kontrolluar, shoqëri të dobët civile dhe media e politizuar, të cilat mbulojnë më shumë sesa zbulojnë abuzime politike të pushtetit”, theksohet më tej. Në raportin e gjermanëve duket qartë se është bërë një përshkrim tepër real i politikës, ku të gjithë janë njësoj dhe ai që vuan në fund është populli.