Qeveria shqiptare ka vendosur që të ndërpriten të gjitha fluturimet drejt Italisë dhe po ashtu edhe lundrimet. Ky vendim i autoriteteve shqiptare erdhi menjëherë pasi shteti fqinj bëri me dije vendimin se do të shpallë gjithë vendin zonë të kuqe, për shkak të agravimit të koronavirusit atje.
Dje janë bërë fluturimet dhe lundrimet e fundit drejt Italisë, teksa nga ai moment do të pezullohen të gjitha udhëtimet ajrore dhe ato me traget nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. Sakaq 629 pasagjerë kanë mbërritur dje në mëngjes në Portin e Durrësit. Ata janë nisur nga Porti i Barit, me tragetet Rigel dhe Azzurro. Sipas tyre, në zonat e jugut të Italisë nuk ka panik për koronavirusin. Mësohet se pas kontrolleve atyre u është marrë adresa e origjinës dhe numrat e telefonit. Drejtoria e Përgjithshme Detare ka pezulluar transportin detar të mallrave dhe njerëzve nga Durrësi drejt Italisë së Veriut.
Gjithashtu, të gjitha mjetet e transportit detar që kanë destinacion Portet e Hapura të Republikës së Shqipërisë nuk do ju lejohet zbritja e ekuipazhit nga anija në portet përkatëse. Sakaq dje ministrja Belinda Balluku kërkoi bashkëpunimin e ambasadës italiane në vendin tonë, që nëse do të ketë kërkesa për të tërhequr italianët që ndodhen në Shqipëri, ta bëjë këtë vetëm përmes avionëve që vijnë bosh në aeroportin e Rinasit. Kjo do të vlejë edhe për tragetet. “Në rastet kur autoritetet italiane do të vendosin për të tërhequr nënshtetasit e tyre nga Shqipëria, apo edhe pasagjerë të tjerë që kërkojnë të shkojnë drejt Italisë, do të jetë e mundur vetëm nëse avionët do të vijnë në Shqipëri pa pasagjerë, pra që vijnë boshë nga Italia. Pasagjerë nga Italia përmes ajrit nuk do të lejohet më të vijnë në Shqipëri.
Dhe avionët bosh që vijnë nga Italia mund të marrin pasagjerë italianë nga vendi ynë për t’i dërguar në Itali. Sonte do të nisen tragetet e fundit nga Vlora dhe nga Durrësi, Vlorë-Bindisi dhe Durrës-Bari, me pasagjerë që kanë blerë bileta dhe janë për të udhëtuar sonte. Pas këtij itinerari nga të dyja portet, nuk do të ketë udhëtime të tjera në drejtim të Barit apo të Brindisit. Edhe në rastin e transportit detar, nëse autoritetet italiane do të jenë të interesuara të dërgojnë anije bosh nga Italia për të tërhequr pasagjerë, ne jemi të hapur për këtë bashkëpunim”, tha Balluku.