Publicisti dhe intelektuali Ilir Hashorva, ka ndërruar jetë në Nju Jork për shkak të koronavirusit, në moshën 79-vjeçare. Lajmi bëhet me dije nga familjarët e tij. “Mbrëmë u nda prej nesh kushëriri im, miku dhe intelektuali Ilir Hashorva, i sëmurë me Covid-19.
Ka qenë gjithnjë pjesë dhe referim i familjes sime, veçanërisht i nënës sime, që e donte si të vetmin vëlla që nuk e pati.
Babai i tij, Ali Hashorva, ka qenë nga intelektualët e shquar të Shqipërisë para-komuniste, që mezi i mbijetoi tallazet e periudhës totalitare.
I kujtoj me shumë mall ato kohë të fëmijërisë që kam kaluar në shtëpinë e tyre: nga Lili dhe motra e tij Nika (Hysnija) kam marrë hua “Udhëtimet e Guliverit”, “Liza në Botën e Çudirave” dhe “Aventurat e Heklberri Finn-it”.
Atje kam njohur një familje ku librin e trajtonin si floriri.
Këto 20 vjet të fundit, Lilin e kam pasur komshi në Bronx: punonte për një seri biografish të njerëzve të shquar, si Gandhi dhe Mandela, të cilët ua paraqiti lexuesve shqiptarë edhe si ndriçimtarë të një morali të ri humanist.
Shkrimet e tij në shtyp ishin gjithnjë tërheqëse dhe shembuj të një qasjeje të arsyeshme dhe etike ndaj botës së sotme.
Lili ishte plot energji dhe plane: sa herë që shiheshim, qoftë në Tiranë qoftë këtu në NYC, do të flisnim për librat që kish ndërmend të botonte.
Sa e hidhur po më duket tani, që libri i fundit për të cilin po kujdesej, përkthimi integral që ia kish bërë i ati, Ali Hashorva, “Dekameronit” të Boccaccio-s, fliste për një epidemi të rëndë, si kjo e tanishmja.
I qoftë dheu i lehtë! Ngushëllime nga zemra Lindës, dy fëmijëve dhe motrës Nika”, shkruan gjuhëtari Ardian Vehbiu.
“Mbreme ne New York, ndahet nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej semundjes Covid-19, nje Intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, nje person fisnik qe gezonte respektin ne gjithe rrethin shoqeror e me gjere. Duke lene pas te shoqen, Linden dhe dy femijet Dritanin dhe Enin,si edhe motren e tij Dr. Hysnije Shtylla” – shkruan në profilin e tij në FB, kunati i të ndjerit, Mehmet Shtylla.
Familja Hashorva kishte emigruar në New York të SHBA-ve në fillim të viteve 2000.
Iliri rridhte nga një familje gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar.
Në vitin 1920 Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend.
Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet 30 deri në ato 50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e “grupit social-demokrat”. Profesor Aliu e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.
Iliri ka lindur më 1 tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si Shef i Laboratorit të këtij instituti.
Hashorva ka qenë prej disa vitesh bashkëpunëtor i gazetës TemA, ku botonte shkrimet e tij.
Gazeta TemA i bashkohet dhimbjes së familjarëve të tij, për këtë humbje.