Nga Gjeneva, ku ndodhet sot, kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh të qartë, presidentit francez, Emmanuel Macron i cili i tha “jo” negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa ne kemi nevojë për BE. Ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes”, tha Rama.
Ndërsa më tej kryeministri theksoi se “ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën”.
“Dua të theksoj se nga sa mbaj mend për këtë iniciativë, kjo ishte mbledhja më e mahnitshme dhe e dobishme në drejtim të zgjerimit të këtij forumi. Ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Për ne ka shumë rëndësi ta dimë me saktësi. Është e qartë që nëse procesi i integrimit është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, ajo që ndodhi në tetor e bëri të paparashikueshme”, theksoi kreu i qeverisë.