Një shqiptaro-amerikane është emëruar Ndihmës Sekretare në Departamentin e Sigurisë së Brendshme në SHBA.
Bëhet fjalë për Eva Millonën, e cila ka studiuar drejtësi ne Universitetin e Tiranës në vitet 1980
Ky është posti më i lartë që një shqiptare merr ndonjëherë në administratën amerikane, aktualisht në administratën e Biden.
Por kush është Eva Millona?
Ajo ka praktikuar të drejtën civile dhe penale para se të bëhej gjyqtarja më e re e rrethit e emëruar ndonjëherë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, ku shërbeu nga vitet 1989 në 1992. Pasi emigroi në SHBA, ajo drejtoi programin e rivendosjes së refugjatëve në Massachusetts Qendror, dhe me pas ne 1999 u bashkua me MIRA (Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition), duke shërbyer fillimisht si Drejtore e Politikave dhe Avokatisë dhe më pas si Zëvendës Drejtore.
Ajo u bë Drejtore Ekzekutive në vitin 2008, dhe sot njihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si një eksperte dhe udhëheqëse në politikën e imigracionit dhe integrimin e imigrantëve dhe refugjatëve.
Millona ka marrë shumë çmime për avokatinë dhe udhëheqjen e saj, përfshirë këtu çmimin prestigjioz në 2009 “Outstanding American by Choice” nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA, si dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës “Wainwright” në 2010.