Kuvendi i Shqipërisë i kërkon kryeprokurores së përkohshme Arta Marku rritjen e numrit të hetimeve dhe procedimeve në nivele të larta për korrupsion dhe krim të organizuar, brenda vitit 2018. Shqiptarja.com publikon dokumentin e Kuvendit me 13 detyra për kryeprokuroren Marku. Projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së organit të akuzës, për vitin 2017, është hartuar nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa pritet të miratohet nga Parlamenti.
Po ashtu, Kuvendi i kërkon Prokurorisë që të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar me agjencitë e huaja ligjzbatuese me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar dhe veprave penale që lidhen me pastrimin e parave. Një tjetër detyrë për Prokurorinë është që të marrë masa për të adresuar problematikat e konstatuara në raportet e Komisionit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Kuvendi nuk është i kënaqur me punën e Prokurorisë në drejtim të luftës kundër korrupsionit gjatë vitit 2017, periudhë gjatë të cilës organi qendror i akuzës është drejtuar nga Adriatik Llalla.
“Megjithëse ka pasur rritje të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016, pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2017, përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi vazhdon të jetë në nivele shumë të ulëta, 0,87 % e numrit të përgjithshëm të procedimeve. Nga 148 çështje penale të filluara kryesisht nga organi i akuzës, vetëm 46 çeshite janë filluar kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit, ku vendin kryesor e zë vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kotit Penal”, thuhet në projektrezolutë.
Pretendimi i prokurorisë
Prokuroria për Krimet e Rënda ka akuzuar policinë se nuk ka bashkëpunuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. “Sa parashtruam më lart, mbi drejtimin dhe përparësinë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendor si dhe në sistemin e drejtësisë, hetimit pasuror, janë evidentuar edhe problematika. Nuk ka ekzistuar një bashkëpunim konstruktiv mes prokurorisë dhe strukturave të policisë, të sektorëve përkatës, kryesisht me disa drejtori të policisë vendore. Mungesë e referimeve serioze për kryerjen e hetimeve proaktive për grupe të strukturuara kriminale, vepra penale të trafikimit të narkotikëve, njerëzve etj.
Mos krijimi i kushteve dhe kapaciteteve njerëzore(Punonjësve të policisë) për aplikimit të metodave speciale të hetimit, për veprime simuluese dhe infiltrimit në përbërjen e grupeve kriminale ku evidentohet vetëm një rast për vitin e kaluar, çfarë e bën të vështirë hetimin e aktivitetit të këtyre grupeve ku e vetmja mënyrë e marrjes së të dhënave ngelet përgjimi i telefonave dhe me aq sa është e mundur përgjimi në vende publike dhe ndonjë rast në vende private”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
13 detyrat e Kuvendit për Arta Markun
Rritjen e numrit të hetimeve në tërësi dhe në veçanti hetimeve proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në nivel zyrtarësh të lartë dhe të mesëm; funksionarëve të sistemit të drejtësisë, të zgjedhurve në nivel qendror dhe vendor;
Rritjen e numrit të hetimeve proaktive për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimi të narkotikëve, dhe kultivimit të bimëve narkotike;
Rritjen e numrit të hetimeve pasurore për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, mjeteve dhe produkteve të veprave penale me origjinë krimin e organizuar, sipas ligjit Antimafia;
Garantimi e ndihmës në procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve, duke bashkëpunuar ngushtësisht me organet e reja që priten të krijohen Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, në procesin e vlerësimit profesional dhe hetimin disiplinor të prokurorëve;
Forcimin e bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe shërbimeve të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, si dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin efektiv të metodave speciale të hetimit për dokumentimin e veprave penale kundra korrupsionit dhe krimeve të rënda;
Forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjencitë e huaja ligjzbatuese me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar dhe veprave penale që lidhen me pastrimin e parave; si dhe marrjen e masave për adresimin e problemtikave që konstatohen nga Progres – Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, lidhur me problematikat e krimit të organizuar në Shqipëri;
Forcim të bashkëpunimit me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për parandalimin e krimeve kompjuterike që përdoren për pastrimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale, si dhe ato për qëllime të financimit të terrorizmit;
Ashpërsimin e politikës penale për masat e sigurisë dhe të dënimit kundër: krimit të organizuar, korrupsionit, dhunës në familje, krimeve kundra jetës, pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, amëmbjatjes pa leje, krimit që lidhet me procesin zgjedhor, personave përsëritës në krim, krimit mjedisor;
-Të ndjekë një politike penale më të butë ndaj të miturve, grave, personave me aftësi të kufizuara që procedohen penalisht, personave që akuzohen për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore, si dhe zhvillimin e hetimeve të shpejta me qëllim shkurtimin e kohës së hetimit;
Të ndjekë në vazhdimësi rastet që referohen në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, me qëllim sigurimin e pastërtisë së figurës së punonjësve publikë;
Të thëllojë bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, Kontrollin e Lartë i Shtetit, ILDKPKI, me qëllim orientimin e një vizion të përbashkët në politikën shtetërore që duhet të ndiqet në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi, korrupsionit e krimit të organizuar në veçanti;
Përdorimin e instituteve procedurale si urdhri penal, marrëveshja e fajësisë, gjykimi i drejtpërdrejtë në mënyrë efektive për t’i shërbyer shpejtësisë së procesit dhe qëllimit të ligjit penal.
Të vazhdojë të japë kontributin e tij gjithëpërfshirës në drejtim të Reformës në Drejtësi, për reformimin e kuadrit ligjor si në aspektin material dhe atë procedural me qëllim përmbushjen e objektivave në këtë fushë./Shqiptarja.com