Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Ndocaj, akuzon OSHEE -në si bandë hipokritësh të mbushur me militantë partie, e cila sipas tij ka lënë në errësirë 20 mijë banorë të Bashkisë së Lezhës. Përmes një statusi në Facebook, Ndocaj ka shpërthyer në akuza ndaj OSHEE. “OSHEE është sektori më i dështuar në Lezhë, u bëj thirrje të gjtihë banorëve të kësaj zone të majtë dhe të djathtë të mblidhen përpara zyrave të OSHEE në Lezhë e t’i shkundim këta hipokritë”, shkruan Ndocaj në Facebook.
(Postimi i Ndocajt në Facebook)
Por OSHEE i kujton ish-deputetit detyrimin që ka për të paguar, ku janë jo pak por plot 25 milionë lekë të vjetra fatura energjie të papaguara në 17 apartamente në pronësi të Ndocajt. Ky është një problem i vjetër i Ndocajt me fatura energjie të papaguara të cilit siç edhe kuptohet do t’i duhet të përballet sërish me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
(Apartamentet e Ndocajt në Shëngjin pa energji elektrike)
Rreth një vit më parë OSHEE ndërpreu furnizmin me energji të apartamenteve të Ndocajt, duke e lënë atë në errësirë. Pikëpyetje mbetet nëse edhe këto ditë të ftohta fundmarsi Ndocaj po i kalon në errësirë apo jo dhe mllefin e tij e ka shfryrë në rrjetet sociale.