Procesi i votimit në Kosovë ka nisur normalisht që në orën 7, me përjashtim të disa incidenteve në Mitrovicën e Veriut mes komisionerëve serbë.
Mirëpo ndryshe nga çdo herë në Kosovë që në orët e para të mëngjesit ka votuar edhe një zyrtar i lartë shqiptar. Bëhet fjalë për ministrin e jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili pas votimit tha se ka shprehur vullnetin e tij me votë, pasi është qytetar i Kosovës. Cakaj votoi në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë.
“Unë jam qytetar i Shqipërisë dhe Kosovës, por unë ndaj shqetësimin për të ardhmen e vendit tim. Vota këtu është pasqyrë e një fakti shumë më të përgjegjshëm. Unë jam sot këtu thjesht si qytetar i Kosovës”, ka thënë Cakaj pas votimit.
Ka ndodhur shpesh që politikanët kosovarë të votojnë në Shqipëri, mirëpo, kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare të votojë në Kosovë.