Është identifikuar pas 50 vitesh rasti i parë i infektimit me kolerë në Itali. Nuk dihet akoma se sa shqetësues është ky fakt por në të gjitha mediat italiane po qarkullon si lajm dhe qytetarët janë shqetësuar.
Mediat raportojnë se një i moshuar në Arbus është shtruar në spitalin Santissima Trinita në Cagliari i infektuar me kolera. Pacienti vuan edhe nga sëmundje të zemrës.
Ai po merr trajtim në spital prej 5 ditësh ndërsa mësohet se gjendja e tij aktualisht është e qëndrueshme. Vendi dhe dita e infektimit nuk dihen, ndërsa mësohet se nuk kishte bërë asnjë udhëtim jashtë vendit.
Sipas raportimeve të L’Unione Sarda, i moshuari i ka patur simptomat rreth një muaj më parë dhe ky element vështirëson përcaktimin e saktë të momentit të infektimit.
Mjekët po kryejnë kontrolle epidemiologjike te familjarët e pacientit që jetojnë në zonën e Medio Campidano dhe që aktualisht nuk shfaqin asnjë simptomë, megjithatë priten rezultatet e analizave.
Edhe vitin e kaluar New York Times ka ngritur alarmin për përhapjen e sëmundjes së kolerës. Sipas raportimeve, një numër rekord i shpërthimeve të kolerës në mbarë globin, i nxitur nga thatësirat, përmbytjet dhe konfliktet e armatosura, ka sëmurur qindra-mijëra njerëz dhe ka sjellë tensione me furnizimin e vaksinave të kolerës.