Agjencia e Prokurimit Publik ka rishikuar formularin e njoftimit të fituesit në setin e dokumenteve standarde të tenderit për procedurën e prokurimit “Shërbim Konsulence”. Rishikimi i këtij formulari ka si qëllim të pasqyrojë informacion mbi numrin e operatorëve ekonomikë të kualifikuar në fazën e parë të kësaj procedure prokurimi, për të cilën, sipas legjislacionit të prokurimit publik, kërkohen minimalisht 2 kandidatë. Shërbim konsulence është një procedurë prokurimi me faza, sipas nenit 34/1 të LPP, e cila shërben për prokurimin e kontratave publike për shërbime të një natyre intelektuale dhe/ose këshilluese.
Hapat e procedurës së shërbimit të konsulencës Autoriteti kontraktor përgatit preventimin e kostos dhe buxhetit. Preventivi i kostos bazohet në vlerësimin që autoriteti kontraktor u bën burimeve që i nevojiten për të përmbushur detyrën: kostoja për stafin, mbështetja logjistike dhe inputi fizik. Kostot duhet të ndahen në dy kategori kryesore: tarifat (ose shpërblimi); rimbursimet. “Titullari i autoritetit kontraktor apo personi i autorizuar nxjerr urdhrin e prokurimit. Titullari i autoritetit kontraktor apo personi i autorizuar nxjerr urdhër për krijimin e komisionit të vlerësimit të ofertave, siç përcaktohet në nenin 58 të këtyre rregullave.
Në rastin e shërbimit të konsulencës, të gjithë anëtarët e komisionit duhet të jenë ekspertë të fushës së objektit që prokurohet”. Njësia e prokurimit apo edhe struktura të specializuara duhet të hartojnë projekt kontratën me përkufizime të qarta të objektivave, qëllimeve dhe të synimit të detyrës në fjalë dhe dokumentet e tenderit. Njoftimi i kontratës hartohet dhe publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike.
Autoriteti kontraktor shqyrton kualifikimet e kandidatëve që kanë shprehur interes në bazë të kritereve për kualifikim jo më vonë se 10 ditë nga data e hapjes së procedurës. Në përfundim të kësaj faze, kandidatët e kualifikuar përshihen në një listë të shkurtër, e cila duhet të përmbajë të paktën 2 kandidatë. Pas mbylljes së fazës së kualifikimit dhe në përfundim të afateve të ankimit, autoriteti kontraktor i bën kërkesë për propozime me shkrim kandidatëve të përcaktuar në listën e shkurtër.
Kërkesa për propozime përfshin: ftesa, ku deklarohen qëllimi i autoritetit kontraktor për të nënshkruar kontratën për shërbimet e konsulencës, burimi i fondeve, hollësi të tjera për kandidatin, adresa, data, ora e përcaktuar për dorëzimin e propozimeve; udhëzimet për ofertuesit, ku jepet i gjithë informacioni i nevojshëm që do t’i ndihmonte ofertuesit për përgatitjen e propozimeve, si dhe informacione për procesin e vlerësimit, metodologjinë, kriteret e vlerësimit e faktorët e rëndësinë përkatëse të tyre dhe pikët minimale për cilësinë; periudhën e vlefshmërisë së propozimit; kushtet e projekt-kontratës, që do të prokurohet; afatet kohore për dorëzimin e propozimeve; formularin e sigurimit të ofertës (nëse kërkohet).