Presidenti Ilir Meta është shfaqur shpesh kohët e fundit në Tropojë. Ai duket se ka fituar mikpritjen e tropojanëve dhe tani duket i preferuari i tyre, kuptohet gjithmonë pas Sali Berishës.
Por, historia e Ilir Metës dhe dashuria e tropojanëve me presidentin ka dy kohë, atëherë kur e merrnin me shqelma dhe tani kur shkon e ngjitet në bjeshkë me Çim Pekën nga Hasi, apo inauguron rrugë të ndërtuara me investime private.
Ilir Meta akuzohej dikur për gjakdredhjen në Tropojë, nga Sali Berisha dhe PD, por më pas ai u përdor si shpëtimtar pas zgjedhjeve të vitit 2009, dhe gjaku, bëmat e gjëmat në Tropojë u shpërblyhen me ndarje pushteti në qeveri, që u pasua nga një tradhëti. Dhe sot i njëjti njeri sillet si “shpëtimtar”.
Agjenda e ditëve të fundit të Metës në Tropojë ka pasur pjesëmarrje në Festën e Gështenjës, pastaj inaugurimin e një rruge, investim privat dhe dy netë në Valbonë nën shoqërinë e verës së shtrenjte dhe miqve të ftuar nga Tirana.
Protesta kundër Metës në Tropojë, viti 2000
Por çfarë ndodhte me Ilir Metën 18 vjet të shkuara në Tropojë. Atëherë Ilir Meta kryeministër futi në axhenden e takimeve elektorale të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit edhe një takim elektoral në Bajram Curri, ku në videon e mëposhtme nga miniuta e 15 e shikoni mesa “dashuri” dhe respekt e kanë pritur tropojanët, të cilët jo vetëm nuk e lanë të fliste dhe mitingu u prish, por e mbyllën në hotel dhe u fsheh si miu, kërkoi besë që të dilte dhe gati i dogjën makinën.
Ngjarjet u pasuan nga vrasja e Syl Lushës në nëntor të atij viti dhe në mbrëmje më pas u shoqërua në polici edhe Sali Berisha, në atë kohë kryetar i PD. Selia u rrethua me forca speciale, RENEA dhe FNSH, snajpera dhe maskat e policisë rrethuan ish selinë e PD, përballë qendrës Toptani sot.
U arrestuan me dhjetëra militantë që dilnin nga selia, rriheshin dhe dhunoheshin, “malokët e Saliut në burg e keni vendin” . Fjali që e dëgjuan dhjetëra zyrtare e militantë të PD-së. Ishin të njëjtat forca speciale që shoqëruan Ilir Metën në Tropojë, aty ku ai doli i lagur dhe pasi u kërkoi të nxirte inatin e tij të Skrapalliut me Tropojanin Berisha, njeriun që me një fishkëllimë i shkatërroi gjithçka kishte përgatitur për mintingun e Bajram Curiit.
Ka qënë fushata elektorale e vitit 2000, për zgjedhjet e 12 tetorit, ku kryeministri Meta pavarësisht nga këshillimet që mori nga këshilltarët e tij dhe drejtuesit e SHISH, vendosi që të bëntë pjesë të itinerarit të tij të fushatës elektorale, edhe qytetin e Bajram Currit
.
Ilir Meta në Tropojë, viti 2000
Kryeministri Meta ka shkuar mesditën e 26 shtatorit të vitit 2000 në qytetin e Bajram Currit, i shoqëruar nga forca të shumta të policisë, të grupeve të gatshme, të Forcave të Armatosura, të FNSH dhe të RENEA. Ndërkohë ishte parashikuar që gjatë kohës që ai të ndodhej në qytetin e Bajram Currit do të mbante edhe një fjalim në një podium të improvizuar në sheshin kryesor të qytetit. Një miting, i cili ishte organizuar edhe nga dega lokale e PS.
Por, situata në qytetin e Bajram Currit atë ditë është acaruar që në orët e para të mëngjesit. Grupe mbështetësit të PD-së, të cilët janë grupuar për të pritur kryeministrin Meta dhe për shkak të situatës konfliktuale që mbizotëronte në vend në atë kohë, përplasjes së madhe midis opozitës së drejtuar nga Sali Berisha dhe mazhorancës së majtë që qeveriste vendin e drejtuar në atë kohë nga Meta, Tropoja ishte kthyer në një fushë përplasje apo shesh beteje mes përkrahësve të të dyja palëve. Dhe në të vërtetë ajo që prashikohej të ndodhte, ndodhi pikërisht në momentin kur ish-kryeministri Meta u ngjit në podiumin e improvizuar për të mbajtur fjalën e rastit.
Sapo ai ka filluar të flasë, qindra simpatizantë të PD-së, të mbështetur edhe nga banorë të qytetit të Bajram Currit, kanë filluar të brohorasin emrin e liderit të opozitës Sali Berisha, dhe të heroit të demokracisë, Azem Hajdari.
Protesta kundër Metës në Tropojë, viti 2000
Po ashtu gjatë kësaj kohe janë hedhur edhe parulla kundër kryeministrit Meta dhe qeverisjes së Majtë. Situata është dukur tepër e agravuar dhe tentativa e forcave të shumta policore për ta mbajtur nën kontroll mitingun ka qënë totalisht e pamundur.
Për fat të mirë, situata nuk ka përfundur në përdorimin e mjeteve të forta nga policia apo dhe armët e zjarrit pasi pasojat do të kishin qënë tepër të rënda.
Kryeministri Meta, i ndodhur para një gjendje krejt të papritur është përpjekur t’i qetësojë me batutat e tij që ju ka drejtuar pjesëmarrësve që ndodheshin në atë mitin, duke përfshirë edhe ata që kishin dalë të protestonin kundër tij.
Por, përpjekja e kryeministrit të asaj kohe nuk ka dhënë rezultat. Situata ka vazhduar të agravohet dhe në një moment, të gjithë drejtuesit e policisë të cilët kishin marrë përsipër mbarëvajtjen e këtij mitingu i kanë kërkuar kryeministrit që të largohej prej aty, pasi ata nuk mundeshin dot të siguronin vazhdimin e mitingut.
Kjo situatë është acaruar deri në pikën sa edhe lëvizja e kryeministrit është bërë në këmbë nga vendi ku mbahej mitingu, deri në Hotel Turizmi të qytetit, e cila ka qënë një distancë prej 300-400 metrash që kryeministri e ka përshkruar me këmbë, i rrethuar nga një eksortë e fuqishme e trupave të gardës dhe e forcave speciale, dhe gjatë gjithë kohës është shoqëruar nga brohoritjet dhe nga parullat kundër tij dhe kundër qeverisjes së majtë të asaj kohe.
Situata është dukur e rëndë për shkak se mjetet që e shoqëronin nuk janë tërheur dot nga drejtuesit e tyre, por kanë ngelur në mëshirën e protestuesve që kanë tentuar t’i përmbysin ato. Është krijuar një situatë e tillë sa dukej e vështirë mënyra sesi do të largohej Meta nga qyteti i Bajram Currit.
Meta në fjalën e tij është shprehur se “Dëshiroj sot që t’ju jap besën si shqiptari-shqiptarit, si malësori-malësorit, si burri-burrit, se do të jemi se bashku në përpjekjet tona për demokraci dhe prosperitet në të gjithë Shqipërinë edhe këtu në Tropojë. Jam këtu, jo për tju përcarë ju, jo për tju ndarë juve, por për tju bashkuar, prandaj ju falenderoj edhe një herë tjetër për gjithcka që ju keni bërë për demokracinë në gjithë këto vite.
Por, do tju them se demokracia këtu….” , por këtu fjala e tij ndërpritet në mes nga turma.
Kjo është ngjarja që ka ndodhur 18 vjet më parë, por sot Ilir Meta nuk është më ish-kryeministri që vidhte thesarin, vidhte e gjakoste duart me demokratët, por edhe presidenti mbi palët që me “qetësi dhe dashuri” mbajti Besën, iku nga PD, mbështeti doktorin në qeveri, u kap duke vjedhur me bllok në dorë, shkoi tek Rama që më pas e bëri kryetar Kuvendi dhe President që të kalojë ditë të paqme në Valbonë e Bajram Curri për të trembur ëndrrat e këqija të 18 viteve më parë./CNA.al