Mero Baze
Erion Veliaj e konsideroi si një kurth ndaj tij, përndjekjen që Prokuroria i ka bërë bisedave të tij me familjarë dhe komunikimet e tij në shtyp, duke tentuar t’i përdorin si prova të betejës së tij kundër drejtësisë.
Në fakt, në kuptimin afatshkurtër ose efektin mbi vendimin e sotëm, ato janë një provë që tregon qartësisht dy probleme për mënyrën se si SPAK po funksionon në rastin Veliaj.
E para, është mungesa e kujdesit për t’u shfaqur si hakmarrës dhe jo si prokurorë profesionistë, dhe e dyta, fuqia që SPAK ka mbi GJKKO, pra duke noterizuar çdo epsh të tyre. Në këtë kuptim, ata mund t’i quash të plotfuqishëm kur marrin vendim të ndëshkojnë dikë, apo më tepër ta linçojnë atë.
Rasti i Veliajt është i qartë, si një rast ku përzihet shërbimi politik me mllefet personale të tyre ndaj tij, për shkak të betejës që ka bërë për t’i diskredituar ata në konflikt interesi.
Por në një vështrim më afatgjatë, mendoj që prokurorët kanë rënë në kurthin e Veliaj. E drejta e një të ndaluari, pa arsye bindëse juridike, për të protestuar ndaj prokurorëve dhe për të treguar arsye të tjera jo ligjore përse ai është në burg, është një e drejtë e pamohueshme. Madje kjo është një provë për prokurorët nëse ata janë aty për të bërë detyrën apo për të linçuar një person.
Në rastin konkret, të dy prokurorët duket se kanë të njëjtën humbje qetësie dhe lëshim nervish, duke e kthyer betejën me Veliajn në betejë personale. Ata nuk kanë bërë asnjë kujdes të sillen si prokurorë, por si dy njerëz që kanë në dorë jetën e tij dhe nuk lënë rast pa treguar se janë gati ta shkatërrojnë atë fizikisht, familjarisht, madje dhe më thellë, rrethin e tij shoqëror. Dhe kjo jo vetëm në seancat e ballafaqimit me Veliajn ku sillen si dy njerëz të xhindosur, por edhe në sjelljet në zyrat e SPAK gjatë hetimeve me dëshmitarë të tjerë.
Gjithë të thirrurit për hetime, pas përballjeve të Veliaj me ta, janë ndeshur në zyrat e SPAK me prokurorë të bërë bishë, që i kërcënojnë se po nuk thanë ato që duan ata, do t’i kalbin në burg, nuk do t’i ndahen gjithë jetën e broçkulla të tjera, sikur të jenë djemtë e Aranit Çelës dhe jo prokurorët e vitit 2025.
Dhe ata do të vazhdojnë ta ruajnë këtë epërsi mbi përdhunimin e lirive të një të burgosuri politik si Veliaj derisa të fillojnë proceset gjyqësore dhe beteja e tij të jetë edhe ligjërisht një betejë publike.
Pastaj ata do të kuptojnë se me shkeljet e rënda që kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë, me përpjekjen për të dhunuar dëshmitarët dhe për të përfolur shtypin që mbështet Veliajn, dhe akoma më shumë me zbythjen që kanë nga përdhunimi që u ka bërë Sali Berisha, duke mos respektuar asnjë standard izolimi si i burgosuri shtëpiak prej tyre, ata do të kthehen pas ca kohësh në një karikaturë të drejtësisë shqiptare.
Detyra e Prokurorisë, por sidomos e kryeprokurorit, është të unifikojë praktika hetimi dhe standarde hetimi që të jenë njësoj për të gjithë. Sjellja me dy standarde e tyre në rastin Veliaj përballë gjithë rasteve të tjera, i njollos ata si dy prokurorë hakmarrës, jo profesionalë, që nuk udhëhiqen nga ligji, por nga urrejtja personale dhe përfshirja në një përndjekje personale ndaj tij.
E kuptoj që Veliaj ka bërë boll që t’i fusë në këtë spirale. Sulmet e Veliajt nga qelia, tallja me Olsi Dadon si “Olsi Violina”, përpjekja hipokrite e Veliajt për të ndarë Olsin nga Dumani, apo sulmet në shtyp për jetën private të Olsit, janë një tepërim.
Veliaj nuk është në burg se Olsi ka dëftesën me pesa, se ka bërë një kurs të shërbimit sekret grek në Athinë, apo se ka të dashura. Së paku, Veliaj nuk është arrestuar për këto vese të Olsi Dados, nëse mund t’i quajmë të tilla. Dhe ai e di këtë. Për këtë shkak besoj se ai ka qenë i vetëdijshëm kur i ka bërë ato, që ata të hakërrehen dhe të mos sillen më si prokurorë, por si dy burra të zemëruar me një të arrestuar në qeli.
Dhe deri më sot ja ka arritur me një çmim të lartë, natyrisht me ndjenjen në burg. Por edhe po të mos t’i bënte ato, përsëri në burg do mbetej, si viktimë e një vendimi politik.
Tani së paku ka marrë me vete në këtë histori edhe dy prokurorët, të cilët i ka futur në spiralen e hakmarrjes personale, duke i çmitizuar si prokurorë profesionistë dhe duke e shtyrë gjyqin publik të tyre në kohë bashkë me gjyqin e tij.