Nga Kristaq Xharo*
Gjyqit kundër UÇK në Hagë po vjen drejt fundit. Dhe në këto ditë atje po mbërrijnë figurat më të larta amerikane, të kohës së Luftës në Kosovë, ata që morën përsipër të mbronin shqiptarët nga gjenocidi serb i Milloshevicit, tani me një mision tjetër për të mbrojtur të vërtetën e madhe të historisë së luftës që po nëpërkëmbet në Hagë… tashmë ndjehet që një kombi të vogël i qëndron pranë një aleat i madh…
Ndryshe nga shumë shtete të tjera të fuqishme në Europë, SHBA nuk i pengon dëshmitë për UÇK-në — përkundrazi, i inkurajon, i lejon ish-zyrtarët e saj të flasin të lirë, pa kufizime politike dhe pa “urdhra heshtjeje”. Amerika, përkundrazi i inkurajon: Walker, Rubin, Hill, Clark; shkojnë me dëshirë, me kujtesë, me ndërgjegje dhe me krenari për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës. Kjo e bën dëshminë e tyre të pastër, të fortë dhe të pa-helmatisur nga integralet politike. Ata flasin jo si funksionarë, por si burime të pavarura morale, si dëshmitarë të një realiteti të parë në terren, jo të lexuar në raporte diplomatike.
Në Hagë nuk po gjykohet vetëm një grup individësh, po gjykohet vetë historia e shqiptarëve.
Ajo histori që nuk u shkrua në zyra të qeta, në raporte të sterilizuara apo në laboratorë juridikë, por në malet, fshatrat dhe qytetet ku UÇK-ja mbrojti nderin dhe jetën e një populli të rrezikuar të zhdukej. Në këtë sallë të ftohtë, ku kodi procedural shpesh përpiqet të zëvendësojë kujtesën njerëzore, shfaqet një nga kontradiktat më të mëdha të drejtësisë ndërkombëtare: tentimi për të vendosur në të njëjtën peshore viktimën dhe agresorin.
Rrëzimi i themeleve të akuzës shfaqet që në fillim, sepse në thelb të saj fshihet iluzioni i rrezikshëm se populli i masakruar dhe pushtuesi që dogji, vrau e përdhunoi mund të trajtohen si palë të barabarta.
Kjo përpjekje për të krijuar një simetri morale aty ku historia ka gdhendur një asimetri të thellë dhimbjeje dhe gjaku është një eksperiment i dështuar. Dhe paradoksi shndërrohet pothuaj në parodi: ajo që gjykata pretendon se po kërkon — pajtim, qartësi, një të vërtetë të padiskutueshme — populli i Kosovës e ka arritur prej vitesh. Viktimat, të mbijetuarit, qytetet e rindërtuara, normaliteti i rikthyer, ritet e përditshme të jetës, tregojnë se plagët shërohen nga shoqëria, jo nga sallat sterile ku burokratë të veshur me veladon kërkojnë balanca që s’kanë ekzistuar kurrë.
Në anën e UÇK-së, po vijnë titanët. Në atë sallë ku dëshmitarët e akuzës shfaqen si hije të trembura, me zëra të deformuar, me kujtime të turbullta dhe identitete që fshihen pas perdeve të errëta, po hyjnë njerëz që nuk kanë nevojë për kode, pseudonime apo hyrje të fshehta. Ata nuk hyjnë për të luajtur role — hyjnë për të thënë të vërtetën. Hyjnë sepse e kanë parë historinë me sy dhe nuk pranojnë ta lënë të tjerët ta trillojnë. Nga radha e tyre po shfaqen emra të rëndë, që kanë peshë morale dhe historike: William Walker, James Rubin, Christopher Hill, Wesley Clark, David Kushner dhe burra të tjerë shteti e diplomacie, të cilët me praninë e tyre e ndriçojnë sallën e errët më shumë se çdo reflektor.
Walker nuk sjell dosje — sjell kujtesën e trupave të ftohtë të Reçakut. Ai hyn në Hagë jo si dëshmitar, por si monument i ndërgjegjes së një epoke. Dhe thotë qartë: “Kjo nuk ishte trillim. Ishte masakër.” Në atë çast, çdo retorikë bie poshtë. Hija nuk mund të përballet me dritën. James Rubin, një prej zërave më të sinqertë që i foli botës gjatë luftës, përplas sot në sallë qartësinë e tij: “Kosovarët nuk kërkonin hakmarrje. Kërkonin drejtësi.” Me këtë fjali ai shemb prej rrënjëve idenë e rreme se UÇK ishte aventurë kriminale. Lufta e saj ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme. Christopher Hill, diplomati që e njeh mirë këtë rajon dhe që ka mbajtur mbi supe dështimet dhe sukseset e diplomacisë ndërkombëtare, nuk pranon mjegulla politike. Ai thotë: “E vërteta e Kosovës nuk është për t’u rishkruar – është për t’u respektuar.”
Dhe me këtë deklaratë, balancat e rreme burokratike shemben si kulla rëre. Në sallë pritet me vrull edhe Wesley Clark, gjenerali që pa luftën nga ajri dhe toka. Clark nuk flet me teori: ai flet me përjetim. Dhe ka thënë më parë diçka, që vlen më shumë se një dekret ligjor: “Ne nuk luftuam kundër serbëve, por kundër spastrimit etnik. UÇK ishte partner, jo armik.” Ka fjali që peshojnë sa një libër i tërë. Kjo është njëra prej tyre. Pritet edhe ardhja e David Kushner, kronistit të terrenit, i cili sjell dëshmi të gjalla, të pakundërshtueshme, që as koha dhe as politika nuk i zbehin. Kushner nuk flet me hamendje; ai flet me realitet të parë, të prekshëm, të pamohueshëm.
Në këtë përballje, vërehet një kontrast tronditës: në anën e UÇK-së qëndrojnë titanët e mbrojtjes, personalite që flasin për popuj të shpëtuar, për kauza të drejta, për sakrifica dhe histori që i panë me sy. Në anën tjetër shfaqen hije që sjellin rrëfime për ‘bagëti të humbura’, ‘…zhurma të çuditshme në pyll..’ dhe fantazi të mësuara me vështirësi e detyrim.
Kur vijnë titanët, hijeve u fiket zëri. Titanët flasin me emër, datë, vend dhe dinjitet; hijet flasin me frikë, me kode dhe me kujtime të copëzuara. Ata që mbrojnë të vërtetën nuk kanë nevojë të fshihen; ata që shpikin trillime, po. Edhe përballë akuzave të ngritura në bodrumet politike të Beogradit, titanët e mbrojtjes mbeten të palëkundur, sepse ndihen komod vetëm përballë së vërtetës — jo frikës.
Në fakt, në Hagë nuk po gjykohet një ushtri, aq më pak individë, por po tentohet të gjykohet çfarë ata përfaqësojnë, historinë e një kombi. Në atë sallë ku retorika shpesh mundohet të zbusë krimet e agresorit dhe të mjegullojë sakrificën e viktimës, Amerika qëndron aty ku nuk guxon çdo shtet: në anën e së vërtetës. Walker e dëshmoi me sy, Rubin me fjalë, Clark me forcë, Hill me ndërgjegje. Sepse Amerika nuk e shpiku Kosovën … ajo thjesht nuk e la të zhdukej e ajo vazhdon ta ruaj. Dhe ndërsa UÇK sfidon gjyqin, historia ka folur tashmë: e vërteta vjen gjithmonë me dritën në krah.
*Kol.(R). Prof. Dr. Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET






