Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit vendosi që të përjashtonte për këtë sezon grupimin e tifozëve të Tiranës të quajtur “Capital Crew” për dhunën në stadium dhe vendosjen e bombave artizanale në ndeshjen me Partizanin. Po ashtu “Disiplina” vendosi që të përjashtonte përjetësisht edhe 8 tifozë të Tiranës, mes tyre edhe Alban Rexha, i cili është në kërkim nga policia për aktet e dhunës në këtë ndeshje.
Rexha, i njohur në publik për pjesëmarrjen në show-n “Kafazi i Artë” dhe tifoz i zjarrtë, ka bërë një postim në Facebook, ku i është drejtuar vajzës së tij.
“Vajza ime të kërkoj falje që nuk jam pranë teje. Unë e di që të mungon qumështi, të mungon forca më e madhe, por ti mos u mërzit se Zoti do të ndihmojë. Gjithashtu edhe xhaxhi Goni nuk do t’iu lërë vetëm. Më fal, më fal, më fal Elif. Vetëm për ty mendoj. Mos e beso kurrë, ujku jot nuk është terrorist, por një njeri që beson shumë në Zot dhe nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë. Elif, mos u tremb nga babai jot, se unë e di se kush është e vërteta. Do dënohem si një ultras i Tiranës dhe jo si terrorist. Të do shumë babi”, shkruan Alban Rexha.
Në nisje të derbit mes Tiranës dhe Partizanit, tifozët u përleshën mes tyre, por ajo që ishte më e rëndë e që u zbulua nga policia ishte vendosja e disa bombave artizanale nga tifozët e Tiranës pranë tifozëve të Partizanit, por që fatmirësisht nuk shpërthyen.
Statusi i Alban Rexhës në Facebook, i shoqëruar me një foto me vajzën e tij