Ora e të vërtetë për këdo që ka përdorur pushtetin vetëm për tu pasuruar duket se po afron. Shqipëria ka 28 vite që ka dalë nga sistemi komunist, por deri më sot ka pasur pa fund skandale korrupsioni, abuzimi ose përvetësimi, por asnjë emër i njohur nuk ka shkuar në prokurori të japë llogari. Emrat që janë kallëzuar kanë qenë të shumtë, por sistemi i korruptuar gjyqësor ka bërë që të gjithë të dalin pa lagur. Por nga dita në ditë po tregohen fakte se reforma në drejtësi do nisë të japë efekt. Shumë emra janë treguar skeptikë dhe po e sulmojnë, pasi gjatë 3 viteve që u bënë ndryshimet kushtetuese, vetëm vetingu ka avancuar. Por SPAK, do të jetë institucioni që do shkaktojë dhimbje koke në të gjitha kategoritë e pushtetarëve. Si për çudi, teksa na ndajnë shumë pak kohë nga përzgjedhja e prokurorëve të Prokurorisë Speciale, presidenti Ilir Meta ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj reformës në drejtësi. Po ashtu LSI dhe Kryemadhi po bëjnë të njëjtën gjë, ndërsa Berisha nuk mbetet pas. Ndërkohë Lulzim Basha ka deklaruar se kur të vijë në pushet do i dërgojë të gjithë të korruptuarit pas hekurave. Pyetja që shtrohet është kush rrezikohet nga SPAK? Sigurisht që të gjithë janë të rrezikuar. Si majtas si djathtas askush nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij. Herët apo vonë të gjithë duhet të tregojnë se nuk kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve. Ai që e ka bërë duhet të vuajë pasojat. Por nëse i referohemi anës ligjore, më të rrezikuar janë padyshim ata që kanë çështje të hapura. Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë deklaroi se nuk i trembet fare reformës në drejtësi. Nga ana tjetër Monika Kryemadhi u shpreh në një studio se Meta është i pastër, pasi po të kishte diçka të paligjshme do e kishin futur në burg që në kohën e Nanos. Por a ka diçka që i rrezikon pozitat presidentit? Videoja e famshme Meta-Prifti është kapitull i mbyllur, pasi është gjykuar një herë. Por një çështje që rrezikon atë dhe ish-kryeministrin Berisha, është ajo e aferave të CEZ.
Skandalet me CEZ dhe DIA
Sipas ligjit, në momentin që do të ngrihet Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, të gjitha dosjet që janë nën hetim nga Krimet e Rënda dhe prokuroritë e tjera, që kanë të bëjnë me zyrtarë dhe krimin e organizuar do të duhet të kalojnë aty. Meta e Berisha kanë dy dosje të hapura, të cilat nëse hetohen si duhet, mund t’u rrezikojnë seriozisht pozitat. Njëra dosje ka të bëjë me privatizimin e ish-OSSH nga CEZ Shpërndarje, ndërsa tjetra ka të bëjë me marrëveshjen CEZ-DIA për të mbledhur borxhet e energjisë elektrike. Sa i takon dosjes së parë, padia është bërë nga Kuvendi dhe juristi Romeo Kara për 21 persona, mes të cilëve ish-kryeministri Berisha dhe djali i tij, por dhe disa ish-ministra. Kjo dosje po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe pretendimet janë se kemi një abuzim prej 414 milionë euro. Te dosja e dytë padia është bërë nga Romeo Kara dhe janë paditur 7 perona, mes të cilëve ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta. Kjo po hetohet nga Krimet e Rënda. Pak ditë më parë Kara denoncoi se si një prokurore që kandidon për SPAK ka amnistuar presidentin e ish-kryeministrin. Gazeta u interesua pranë dy prokurorive dhe mësoi se të dyja çështjet figurojnë në hetim. Pra nuk ka asnjë vendim gjyqësor pushimi, pasi tani është gjykata që vendos pushimin e hetimeve. Madje dosja e parë ka avancuar ndjeshëm, pasi janë thirrur disa persona për t’u pyetur. Por dosja e dytë ka mbetur e hapur, pa kryer hetime. Kara akuzon Metën dhe Berishën se i kanë shkaktuar shtetit 39 milionë euro dëme nga pakti me DIA. Administratori i kësaj të fundit sot është në burg. Por prokuroria deri më tani ka heshtur edhe pse ka shumë prova të rëndësishme. Por me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Tiranës dhe Krimet e Rënda janë të detyruara t’i kalojnë aty. Edhe pse janë të njëjtët prokurorë, falë presionit amerikan pritet që këto dosje të shihen më me vëmendje. Pra, ndonëse pretendohet se Berisha, Meta e shumë të tjerë nuk kanë kryer asnjë shkelje ligji dhe nuk ka se çfarë u bën SPAK, mjafton të zbardhen këto dy dosje dhe aty do kuptohet roli i SPAK.
7 personat e kallëzuar për dosjen CEZ-DIA
1. Ilir Meta, Presidenti Republikës së Shqipërisë
2. Sali Berisha, ish Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
3. Kastriot Ismailaj administrator i DIA
4. Martin Roman, ish Drejtor Ekzekutiv i CEZ Group
5. Tomas Pleskash, zv/kryetar i Bordit te Drejtoreve të CEZ-Group
6. Jozef Hejsek, ish kryetari Bordit të Drejtorëve të CEZ-Shpërndarje
7. Bujar Nepravishta, ish-kryetar i Entit Rregullator të Energjisë
Zyrtarët e kallëzuar për aferën e CEZ
1. Sali Berisha, ish-kryeministër;
2. Nuel Kalaj, ndërmjetës i privatizimit të OSSH, i cili dyshohet se ka kryer transferta të dyshimta parash në shuma të mëdha;
3. Genc Ruli, ish ministër në Ministrinë e Energjisë;
4. Neritan Alibali, ish-zv/ministër;
5. Enno Bozdo, ish-zv/ ministër në Ministrinë e energjisë;
6. Mimoza Vokshi, ish drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare në Ministrinë e Energjisë;
7. Ridvan Bode, ish-ministër i Financave;
8. Suzana Guxholli, ish-këshilltare e Sali Berishës;
9. Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë; anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe anëtarë të grupit të negocimit të marrëveshjes, të cilët dyshohet se kanë kryer verime dhe mosveprime në përmbushje të detyrave funksionale;
10. Shkëlzen Berisha, person ndërmjetës në privatizimin e OSSH;
11. Josef Ejsek, ish-drejtori i OSSH, më pas CEZ Shpërndarje.
Ja disa nga provat për aferën e CEZ
1. Letër nga Clifford Chance drejtuar CEZ Shpërndarje datë 15.07.2014
2. E-mail nga Nuel Kalaj drejtuar Martin Roman, me subjekt “OSSH Developments”, datë 07.09.2009.
3. E-mail i Nuel Kalaj drejtuar Tomas Pleskac, me subjekt “Re: Kosova”, datë 11.05.2010.
4. E-mail i Nuel Kalaj drejtuar Josef Hejsek, me subjekt “15.05.2010 Report”.
5. E-mail i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pleskac, me subjekt “Albanie-priprava jednani s PM”. datë 28.01.2010.
6. E-mail i Josef Hejsek drejtuar Nuel Kalaj, me subjekt “World Bank- Notice of Event-do be delivered”, datë 17.11.2011;
7. Procesverbal i Mbledhjes së Këshillit të Ministrave Për projektvendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr. 835, datë 11.06.2008 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë anonime “OSSH”, që u ofrohet investitorëve strategjikë”, datë 17.09.2008;
8. Shkresa Nr. 393 Prot, datë 14.01.2008 e Zv.Ministrit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me lëndë “Dërgohet vendimi i Mbledhjes së Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës për vlerësimin e aseteve të KESH Sh.A”;
9. Vendim Nr. 4, datë 09.05.2008 i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
10. Urdhër Nr. 329, datë 09.05.2008 i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës “Për transferimin e titullit të pronësisë së aksioneve të OSSH” Sh.A”;
11. Shkresa Nr. 329/1 Prot, datë 12.05.2008 e Zv. Ministrit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me lëndë “Mbi urdhrin për transferimin e titullit të pronësisë”.
12. Shkresa Nr. 6466 Prot, datë 08.07.2008 e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me lëndë: “Për përshpejtimin e procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të OSSH” Sh.A”.
Kliti Topalli