Komisioni Europian ka miratuar një paketë prej 100 milionë eurosh për të mbështetur përpjekjet e rehabilitimit dhe rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, sipas ec.europa.eu.
Ky financim është pjesë e zotimit të përgjithshëm të Komisionit Europian prej 115 milionë euro të bëra në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve ”Së bashku për Shqipërinë”, në fillim të këtij viti.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se “me miratimin e kësaj pakete financiare, Bashkimi Europian po përmbush përkushtimin e tij për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu si ne gjithashtu jemi duke mbështetur këtë vend për të adresuar pasojat e krizës COVID-19″.
”Ne kemi bërë premtimin tonë për t’u qëndruar pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe kemi rinovuar mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane”, theksoi ai.
Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilimin dhe pajisjet për t’i lejuar fëmijët dhe të rinjtë të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësi më të mëdha.