Nga Anri Bala
Ja dhe një lebroz tjetër…! E tillë nis “shfaqja e të mallkuarve”, protagonist të të cilës, janë aktorët kryesor të vuajtieve dhe mjerimit tonë! Pa shikojini pak, si i hedhin hapat përtueshëm, a thua se i kanë kapur për krahu dhe po i tërhiqen zvarrë, brenda asaj dhome, prej nga do t’iu “presin kokën”… ndërsa të vlerësuarit e fundit më bëjnë vërtetë të qesh, sepse vishen jo pa qëllim keq, nuk mbajnë as orë në puls, madje harrojnë të vendosin dhe unazën e martesës, se mos ndoshta duke i parë të “drobitur”, do të na “dhimbsen”… e kjo do të na e pakësoj, urrejtjen, mllefin dhe dëshirën për hakmarrje!
Ata nuk e dinë, se hakmarrja nuk është ushqim që kapërdihet nxehtë, ndaj ne që e dimë, po presim… të ftohet, që të digjen ata me çorbën e tyre, që kanë lënë në zjarr.
Brenda pavionit të lebrozëve, mjekët “KPK”, po ecin me hapa të ngadalta, por për një sëmundje dhjetra vjeçare, që ka prekur çdo organ, kjo është kura e vetme.
Të gjithë pacientët, presin me ankth epikrizën, si pazarxhinjë, që kanë zhvatur kë kanë mundur në këtë vend, edhe më mjeranin, duke e katandisur në borxhe me vite të tëra, shkatërruar punën, familjen, të ardhmen… e duke i varur në qaf peshën dhe “damkën” e fajtorit, për një krim të pakryer dhe pagjykuar ndonjëherë.
Vettingu apo shfaqja e “të mallkuarve”, është padyshim gjyqi publik, që ngjall interes të jashtëzakonshëm tek gjithësecili prej nesh, por që pritet me kërshëri prej “viktimave” të tyre, një pjesë e madhe të të cilëve sot, enden nëpër gjyqe, ndërsa me qindra të tjerë i shohin prej dhomës së qelisë, nga ku po vuajnë dënimin.
Ndërsa familjarët e tyre kurrizthyer, nga pesha e rëndë bredhin me trasta udhqimesh, sa në një koridor në tjetrin… me vulën e turpit në fytyrë, pa kryer asnjë turp dhe me shpresën, se një ditë drejtësi do të bëhet. A e dini pse ecin kurrizthyer, sepse janë shpresëhumbur dhe në u bëftë kjo drejtësi, ajo është e paplotë për ta… gjysmëpadrejtësi?!
Kjo racë lebrozësh, nuk duhet vetëm turpëruar… duhet inkastruar, tredhur, shterpëzuar, pastaj gjykuar dhe dënuar! Ata nuk i frikësohen vettingut jo, i frikësohen burgut, sapo t’iu shkoi ndërmend ndonjë emër, të cilit e kanë degdisur nëpër qeli, pse nuk kishte mundësi, për të shpëtuar me xhepin e tij prej “maskarai”… bosh.
Xhelatët, nuk mund të përballen vetëm me damkën e turpit, ndërsa viktimat e tyre të pësojnë metamorfoza nëpër burgje, si eksperiment i turpshëm i makutërisë së “piranjave”, që nuk u kanë lënë as kockat, për tu mbajtur në këmbë.
“Maskarenjtë xhepgrisur”, presin me padurim të lirohen, për t’i dhënë fund maktheve, që i’u ndjell fytyra dhe pavioni i tyre i frikshëm. Ata e dinë, se në një pavion me lebrozë, shërimi është vetëm vdekja, e të gjitha ngjyrave, makar dhe si emër dhe humbja nga sytë e botës, që kujtimi i sëmundjes “lebër”, mos të frikësoi askënd.
Fajësia e një xhelati, është padyshim pafajësia e viktimave të tij… dhjetra… qindra e mijëra ndër vite, të cilët presin me padurim, dënimin e krimit njerëzor, të fshehur nën kostumin e zotërisë.
Të burgosurit “e paragjykuar”, nuk duhen liruar fizikisht… para së gjithash, duhen çliruar mendërisht dhe liruar shpirtërisht!/Ekskluzive.al