Ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Maas e ka cilësuar ditën e djeshme, vendimin e Bundestagut gjerman si shpërblim për reformat. Gjermania hapi rrugën e negociatave dhe tani topi është në portën e Shqipërisë. “Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të bërë përparime të mëtejshme në rrugën e pranimit në BE”, ka deklaruar Maas. Ndërkohë Partia Socialistë ka premtuar përmbushjen e detyrimeve duke iu referuar kushteve të vendosura nga Gjermania. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, e ka vlerësuar hapjen e negociatave si një hap të rëndësishëm, por ama ka theksuar se të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të bërë përparime të mëtejshme në rrugën e pranimit në BE. “Miratimi nga Bundestagu gjerman për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tregon një mesazh të rëndësishëm. Votimi thekson rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE. Në të njëjtën kohë shpjegon se reformat po shpërblehen. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të bërë përparime të mëtejshme në rrugën e pranimit në BE. Jemi të sigurt se qasja e kushtëzuar, e sugjeruar nga Bundestagu gjerman, do të bindë vendet e tjera në BE të bien dakord për fillimin e negociatave të pranimit”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Maas.
PS premton përmbushjen e kushteve
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka qenë dje në Elbasan nga ku ka deklaruar se për të dhe Partinë Socialiste, kushtet e vendosura nuk janë kushte, por detyrime, të cilat premtoi se PS do i përmbushë. Balla gjithashtu deklaroi se zgjedhjet e 2021 do të bëhen me Kodin e ri Zgjedhor. “Është një hap historik, ku në mes të tetorit merr formën përfundimtare pasi Këshilli Evropian në datat 17 dhe 18 tetor do ti japë formën përfundimtare. Kjo është një rrugë e gjatë e cila ka marrëkohë, por është në sajë të asaj çfarë ka bërë Shqipëria në lidhje me procesin e integrimit. Reforma në drejtësi është guri i themelit të kushteve që ka vënë BE. Ndërsa këto që ju i quani kushte, unë i quaj detyra shtëpie të cilat janë duke u kryer. Kujtojmë se Kuvendi është duke mbushur vendet e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. KLGJ është në hapat e ndërtimit të Gjykatës së Lartë. Gjermania më së pari e ka ndjekur procesin e implementimit të reformës në drejtësi në mënyrë të vazhdueshme dhe gjej rastin ta falënderoj. Pa angazhimin personal të Angela Merkel dhe SHBA-së nuk do të ishte bërë ajo reformë. Ajo është një element i rëndësishëm për të cilin nuk ka kthim pas”, deklaroi Balla.
Balla mesazh për opozitën
Më tej, Balla deklaroi edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës, sa i përket reformës zgjedhore dhe pjesëmarrjen në hartimin e saj të të gjithë aktorëve politikë. Kreu i grupit parlamentar të PS dha dhe një mesazh për opozitën. “Nuk di të them se në fillim të janarit do të bëhet ceremonia e hapjes së negociatave, por një gjë di ta them, ky është një moment i rëndësishëm për të çuar përpara të gjithë së bashku reformat dhe procesin e integrimit. Kanë përgjegjësi edhe ata që në mënyrë të pashpjegueshme ikën nga Parlamenti, e po në mënyrë të pashpjegueshme deshën ti vendosin flakën Parlamentit. Duhet kohë e gjatë për të shpjeguar më tej me ju se cili është procesi në vijim i negociatave”, u shpreh Balla. Ai foli edhe në lidhje me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në procesin e reformës zgjedhore, një kërkesë kjo nga ana e opozitës. “E rëndësishme është që PS ka treguar gatishmëri, ndërsa Rama i kërkoi opozitës joparlamentare të jetë pjesë e reformës zgjedhore. Sot çdo parti politike ka të drejtën për të marrë pjesë në përfundimin e kësaj reforme”, tha ai.
Arbjona ÇIBUKU