Një nëndetëse bërthamore ruse ka bërë lëmsh marinën britanike, teksa i është shkëputur mbulimit të “gjuetarit” të RAF, një aeroplan patrullimi Poseidon P-8 dhe është shfaqur më pas në brigjet e Norvegjisë.
Nëndetësja e klasit Akula (peshkaqen) fillimisht u zhyt në ujë ndërsa patrulla ajrore britanike dhe një flotë luftarake detare norvegjeze u përpoqen të ndiqnin gjurmët e lëvizjeve të saj nën valë.
Fotografitë që po qarkullojnë në mediat britanike janë realizuar nga një inxhinier britanik detar që punonte në det të hapur në një projekt energjetik norvegjez.
“Të dielën mbrëma pamë një Poseidon P-8 britanik dhe të hënën pamë të gjitha anijet e Marinës së NATO-s dhe vetë nëndetësen në sipërfaqe. Ne mund të dëgjonim bisedat e radios midis anijeve dhe avionit dhe padyshim kishte theks britanik”, tha ai për MailOnline.
Fotografi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, tha se kishte përshtypjen se anijet e NATO-s e detyruan nëndetësen ruse të dilte në sipërfaqe, por një ekspert kryesor i kontaktuar nga MailOnline dyshon për këtë.
Sidharth Kaushal, Studiues (Sea Power) në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara konfirmoi se anija ishte një nëndetëse bërthamore.
“Unë mendoj se ka shumë pak gjasa që të jetë detyruar të dalë në sipërfaqe, pasi ata mund ta bëjnë këtë me të vërtetë vetëm me ngarkesa në thellësi. Është një lojë mace dhe miu mes këtyre patrullave të nëndetëseve dhe vendeve ku po kalojnë”, tha ai.
Nëndetëset shpesh udhëtojnë në sipërfaqe pasi është më e sigurt të lundrosh në atë mënyrë, ndaj ky rast mund mund të ketë qenë pjesë e Flotës Veriore Ruse gjatë kthimit nga parada e Ditës së Marinës në Shën Petersburg më 31 korrik.
“Çfarëdo që nëndetësja ruse po bënte atje, qoftë tranzit i thjeshtë apo diçka më klandestine, norvegjezët do të donin ta vinin në ruajtje me ndihmën e aseteve të tjera të NATO-s. Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se aktiviteti i nëndetëseve ruse është në nivele që ata nuk i kanë parë që nga Lufta e Ftohtë”, shtoi eksperti.