Nga Mero Baze
Pashë se këto portalet që mburren se informohen direkt nga SPAK-u, më kanë përmendur emrin për komunikime me Erion Veliajn. Nëse “provat” e reja të SPAK-ut janë përfolja ime si mik i Erion Veliajt dhe mbështetës i tij, nuk ka nevojë për hetime, se unë jam mbështetës publik i tij. Çfarë nevoje ka të përgjosh Erion Veliajn se çfarë flet me gruan për mua, për të kuptuar që unë jam mbështetës i Veliajt?
Madje kur unë kam bërë shkrimin e parë kritik për SPAK-un në këtë çështje, jam nisur pikërisht nga një rrethanë e tillë, pasi prokurori Olsi Dado kishte përfolur emrin tim korridoreve të SPAK-ut pse unë mbroja Veliajn, dhe ai i shtoi dhe dy akuza të tjera në komunikatën për shtyp, se akuzë akoma nuk ka.
Pra, kur e thirrën për ta pyetur, i thanë se është person i dyshuar për dy akuza, dhe pas shkrimit tim ia bënë katër akuza. Tani, unë jam dakord që Veliaj të dënohet me 100 vite burg, por nuk pranoj të dënohet asnjë ditë burg për shkak se është mik me mua.
Raportet e mia me Veliajn nuk kanë të bëjnë me ndonjë leje si rasti i prokurorit të çështjes, por si një gazetar i vjetër politik në këtë vend prej 35 vitesh, kam raportet e mia me gjithë politikanët shqiptarë. Madje këtij s’i kam shkuar dot as në burg, pasi më thanë se nuk të lejojnë. Fatos Nanos i kam pas shkuar në Bënçë dhe i pata marrë intervistë.
Po të isha gazetar i kronikës së zezë, për shembull, siç janë këto vajzat e djemtë që dalin çdo natë në TV, me siguri që do të më përfolte Suel Çela apo Nuredin Dumani si i njohur i tyre. Me siguri do thoshin: “Mos u shqetësoni për filanin, se e kemi nën kontroll”, njësoj siç shantazhonin oficerët e Sigurimit bashkëpunëtorët e tyre.
Po të isha gazetar i show-bizz-it, me siguri që do të më zinin në gojë emrin këto miset, por s’e kam atë fat.
Meqë jam një nga gazetarët më të njohur politikë në Shqipëri, normal që do të ma zërë emrin në gojë në biseda me familjarë Erion Veliaj dhe do komentojnë shkrimet e mia. Po ashtu më zë në gojë dhe Sali Berisha, duke më sharë me bashkëpunëtorët e vet. Vetëm mos më thoni që kam nevojë për këshilla nga Erion Veliaj, Sali Berisha, Edi Rama apo Ilir Meta kur shkruaj. E kundërta mund të jetë e vërtetë.
Nëse këto përfoljet që bëjnë politikanët për gazetarët janë prova të SPAK-ut për të mbajtur në burg Erion Veliajn, atëherë është problem i standardeve të SPAK-ut dhe instinkteve të pafrenuara të tyre për hakmarrje personale, dhe jo çështje e drejtësisë. Nëse këto janë provat e reja të SPAK-ut për Veliajn, janë shumë të vjetra. Unë e kam mbështetur Erion Veliajn qysh më 2003, kur ka dalë në rrugë, 22 vjet më parë. S’kanë pse përdorin vetëm këto provat e fundit.
Përfytyro gazetarët e Berishës që i shkonin Berishës në shtëpi për intervistë kur ishte në arrest shtëpie, apo që shëtiste studio më studio, përfshi mallkimet majë penxheres, dhe nuk ju quajtën prova për presion ndaj drejtësisë.
Tani, e vetmja gjë që kam me SPAK-un në këtë histori është loja e pistë e tyre për të bërë gjyqe popullore. Sapo mbaroi seanca, ata rrodhën lajmet te njerëz që i konsiderojnë “spiunë” të tyre në media, gjë me të cilën këto portale dhe mburren. E di që thonë se letrat i kanë marrë avokatët e Veliajt, por avokatët e Veliajt nuk ja çojnë letrat Elvi Fundos. Nuk ja çojnë, jo se bën si demokrat, por se e konsiderojnë më shumë mik të ministrave socialistë që s’kanë raporte të mira me Veliajn, madje edhe të paguar prej tyre, se sa si demokrat. Si demokrat e njeh vetëm Edi Rama. Nuk jam i sigurtë për Berishën.
Tani, nëse SPAK mendon se mund të bëjë gjyq popullor duke shitur dosjet e seancës gjyqësore te spiunët e vet, thjesht dekonspiron spiunët, nuk është se na prish ndonjë punë ne të tjerëve.
Unë jam i kënaqur që mësova që Erionit i paskan pëlqyer shkrimet, dhe po ashtu që këta të SPAK-ut i paskan administruar si prova të reja krimi. Thjesht duhet t’u kujtoj që liria e shprehjes është e garantuar me një nen në Kushtetutë, dhe nuk është në kompetencë të SPAK-ut. Ata duhet ta fitojnë betejën për drejtësi jo duke shkelur mbi lirinë tonë për të shprehur mendimet tona në shtyp, por mbi aftësinë e tyre për të hetuar një çështje kriminale. Këtë nuk ua kompensojmë dot, nëse nuk e kanë.