Nga Mero Baze
Nesër lajmi i ditës do të jetë arsyeja përse Sali Berisha nuk e ka pranuar ftesën e SPAK. Pasi ka lexuar shkresën, ai ka vërejtur se prokurori i çështjes ka shkruar se Sali Ram Berisha ka lindur në Tiranë dhe jo ne Viçidol. Kjo është një pasaktësi më e rënd se ato lapsueset e shkresave të 21 Janarit për gjashtë gardistët që Berisha nuk i dorëzoi, se atyre u ishte shkruar emri gabim në shkresë. Nesër pritet të ketë një konferencë shtypi për këtë skandal, pasi sipas Berishës, ky lapsus është bërë qëllimisht për të justifikuar lapsusin e Ina Ramës më 21 Janar. Nëse ky lapsus konsiderohet legjitim pastaj këtë mund ta arrestojnë mes të tjerash se kundërshtoi ndalimin e gjashtë gardistëve duke e quajtur jolegjitim lapsusin.
Edhe pse duket humor i zi, në të vërtetë kjo është arsyeja e fundit që mund të dëgjoni nga ky kreshnik malesh, i cili gjithë javën bën dasëm pse Balluku është thirrur në SPAK, dhe në fillim të javës kur i vjen ftesa për vete fshihet në vrima.
Nuk kam parë ndonjë socialist që të thotë nuk e mora ftesën nga SPAK. Madje dhe me thirrje telefonike kanë shkuar në SPAK. Nuk u fsheh Balluku për të vajtur në SPAK. Në orën që e thirrën ishte aty. Nuk është fshehur asnjë socialist edhe pse përditë shkojnë ftesa për ta.
I vetmi që ka frikë të hapë letrën e SPAK dhe mobilizon gjithë trushpëlarët e PD të shpjegojnë pse ai nuk e ka marrë ftesën apo pse ajo që shkoi nuk ishte ftesë është vetëm Sali Berisha.
Dhe arsyeja është e qartë. Ai kërkon ta shtyjë problemin me drejtësinë nga thelbi tek procedurat. Ai kërkon që njerëzit të mos fokusohen se çfarë ka bërë ai më 21 Janar dhe pse nuk e ka hetuar prokuroria por çfarë po bën SPAK sot dhe pse po e heton tani.
Ai thjesht do arsye ta marrin dy policë e ta shoqërojnë në SPAK dhe më pas do demonstrojë që ta dënojnë së paku me arrest shtëpie që të shpëtojë nga paralajmërimet revolucionare që ka bërë dhe të justifikojë kthimin e PD në varrezë.
Tani e vetmja shpresë që PD duket se ka në horizont, janë ftesat e pafundme për zyrtarët socialistë që janë nën hetim nga SPAK. Pas çdo ftesë në PD ndizen fishekzjarrë dhe anatemohen të thirrurit si “hajdut” që do t’ua shtyp kokën drejtësia.
Vetëm në këtë rast kur ftesa shkon për liderin e tyre, ata bëhen grusht bashkuar dhe shpjegojnë se postieri ka shkuar në kat të parë, po aty nuk ia ka hapur derën pastruesja se i ka thënë kam harruar çelësin në kat të tretë dhe nuk punon ashensori dhe pastaj kur ka shkuar për herë të dytë, ka trokitur në derë dhe Liria e ka parë nga syri magjik që është i SPAK dhe nuk ia ka hapur derën. Ndërkohë tek partia roja ka shpjeguar se dy policë kishin tentuar t’i hidhnin një zarf por ai me shpejtësi ua kishte hedhur përsëri mbrapsht në makinë, kurse tek zyra e Gaz Bardhit, vigjilenca ka qenë më e lartë. Sapo dikush ka thënë që kam një postë nga SPAK, ai ka mbyllur derën dhe ka thënë ma ka marrë çelësin Doktori s’dal dot pa atë.
Ky qesharakizim i një partie të tërë që është mobilizuar dhe trajnuar se si të mos marrin ftesën e Sali Berishës për në SPAK, dhe pastaj gjithë ditën gëzojnë me ftesat e SPAK për kundërshtarët e tyre, e bën PD një parti që mbahet gjallë vetëm prej SPAK, pasi po të mos ishte SPAK sot ata nuk do kishin as pse të gëzoheshin, për shkak të arrestimit të socialistëve, as nuk do kishin ndonjë arsye të tregonin besnikërinë ndaj Berishës duke demonstruar se nuk marrin në dorëzim ftesa ndaj tij.
Ndaj vërtet mund të vonojë shkuarja e Berishës në SPAK, vërtet mund të dështojë dorëzimi i ftesës së SPAK, vërtet mund të mos kenë akoma shpresë se do fitojnë ndonjëherë në zgjedhje, por ama Shpresa që SPAK do ekzistojë është e vetmja arsye përse do të ekzistojë dhe PD. Nëse SPAK shkrihet PD nuk egziston më. Dhe akoma më keq besnikët e Berishës. Ata nuk kanë nga se ta mbrojnë pastaj udhëheqësin e tyre






