Trajneri i Kombëtares, Sylvinho doli në konferencë për shtyp para takimit të së premtes ndaj Moldavisë në Moldavi në orën 18.00, sfidë kjo që shkon për llogari të kualifikueseve të Euro 2024. Numri një i pankinës kuqezi vlerësoi kundërshtarin, por u shpreh besimplotë për arritjen e një fitorje. Sylvinho, u pyet gjithashtu edhe për situatën e disa lojtarëve, duke dhënë kështu opinionin e tij.
“Duhet të theksojmë në futboll gjithmonë luhet për fitore. Nëse dy skuadra barazojnë tregon që nuk janë të afta. Barazimin e shoh si pasojë të lojës jo si objektiv. Nuk mund të menaxhohet ndeshja duke menduar për 1 pikë. Nesër të dyja ekipet shkojnë për fitore. Kjo është si një finale për ne. Moldavia është një ekip shumë i fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë dhe ka barazuar me Çekinë. Pritet që të jetë një ndeshje shumë e vështirë.”
-Si zakonisht ju i transmetoni futbollistëve mentalitetin tuaj. Edhe kësaj radhe është dora juaj nga e cila ata kanë reflektuar. Sa e vështirë do të jetë nëse ne nuk i mbyllim nesër llogaritë e kualifikimit?
“Kemi një finale nesër, shumë vendimtare dhe shumë të rëndësishme. Është e vërtetë që lojtarët reflektojnë seriozitetin dhe më pëlqen. Nuk është mbyllur asgjë përsa i përket kualifikimit. Kemi zhvilluar një lojë të mirë përballë Çekisë dhe jemi përgatitur për finalen e nesërme. Nuk ka ndonjë ndryshim në forcën e grupit. Moldavia ka elementë individualë me kualitet, janë ekip fizik dhe në fushën e tyre janë shumë të vështirë.”
-Që nga debutimi i juaj, vjen një ndeshje me Moldavinë që është shumë e rëndësishme për kualifikimin, vendim e parë, por edhe për rekordin. Do mundoheni të shkoni në Gjermani si vend i parë, apo me inteligjencë taktike?
“Luajmë ndaj Moldavisë ekip i fortë që nuk ka humbur ndeshje në shtëpi. Asnjë nga ekipet nuk futet për barazim. Nuk mendoj për atë që do të ndodhë në të ardhmen, përveç ndeshjes me Moldavinë. Nuk mendoj se do të ketë një ndryshim strategjie. Kemi një skuadër të fortë me goditjet standarde. Kemi lojtarë të shpejtë dhe cilësorë dhe të fortë në kundërsulme. Duhet të jemi të kujdesshëm për kundërshtarin që kemi përballë. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe mendojmë 100% për Moldavinë. Kemi bërë një rrugëtim të mirë deri më tani, por duhet të mendojmë për ndeshjen e nesërme.”
-Kemi një skuadër që në pjesën më të madhe luajnë rregullisht në skuadrat e tyre. Asllani ishte i dëmtuar, por a janë lojtarët në 100% të formës ashtu siç jemi mësuar t’i shohim herët e tjera?
“Puna në Kombëtare është e vështirë. Nuk mund të presësh deri në moment të fundit për të shpallur listën. Siç na ndodhi me Ajetin që nuk ia doli dot dhe morëm Mersinaj. Jemi OK me këtë listë sepse kemi lojtarët e duhur. Aktualisht mendoj për lojtarët e këtij grupi të cilët janë ata që kanë luajtur 70% të këtyre ndeshjeve dhe kanë bërë mjaft mirë.”
-Në një moment kur ka mbetur vetëm 1 pikë larg kualifikimit, si ndihet skuadra nga ana psikologjike?
“Në futboll të gjitha skuadrat luajnë për të fituar. Nuk futet kush në fushën e lojës duke bërë llogari. Ekipin e kam parë gjatë këtyre ditëve në formë të mirë. Lojtarët po punojnë me seriozitet dhe janë të ndërgjegjshëm që nuk ka mbaruar asgjë akoma.”
-Kemi luajtur një ndeshje me Moldavinë dhe ata na njohin. Në fillim ishim surprizë e grupit, por a na e bën më të vështirë që nuk jemi më surprizë por realitet?
“Avantazhi që kemi ne është që jemi në këtë pikë të garës. Mendoj se nuk ka ndonjë avantazh në këtë drejtim, pasi kur nisi fusha kualifikuese e dinim që do të kishim një grup të vështirë përpara. Ne jemi në një moment të mirë, por jemi në një grup që janë katër skuadra që janë në garë për tu kaulifikuar. Jemi më mirë, por kemi shumë punë për të bërë dhe pikë të tjera për të fituar.”