Ditën e nesërme në seancën parlamentare maxhoranca qeverisëse do të mas forcat e saj për të siguruar 84 vota për të miratuar projektligjin për zëvendësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu.
Në seancën e fundit plenare u miratua edhe kalendari i punimeve të Kuvendit deri në fund të këtij sesioni parlamentar
Llogaria e votave
Votimi për ligjin e teatrit konfirmoi se maxhoranca ka siguruar 79 vota në parlament. Që ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të miratohen, shumicës parlamentare i duhen edhe pesë vota në radhët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike e ka kushtëzuar votën e saj për këtë projektligj me shkarkimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe me aplikimin e votimit dhe të numërimit elektronik.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur në mënyrë të prerë kundër projektligjit, me pretendimin se kjo nismë thellon kapjen e drejtësisë nga shumica. Disa ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se kishin nisur bisedimet mes grupeve parlamentare në përpjekje për të arritur një konsensus për votimin e ndryshimeve. Por, përplasjet e forta politike për çështjen e teatrit, e bëjnë edhe më të pamundur konsensusin politik për këtë projektligj.
Në këto kushte, 9 korriku do të jetë një provë si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën. Mazhoranca do të tentojë të sigurojë votat e domosdoshme për miratimin e projektligjit, ndërsa PD dhe LSI do të shtrëngojnë radhët, për të mos pasur rrjedhje votash. Sipas ”Shqiptarja.com” mazhorancës i duhet që të sigurojë të paktën pesë vota në radhët e opozitës, para se ta hedhë projektligjin në votim, pasi nëse nisma rrëzohet, nuk mund të rikthehet për votim për një periudhë të gjatë kohore.
Nismat e tjera
Në datën 19 korrik, mazhoranca ka planifikuar të shqyrtojë në seancë edhe një projektligj të propozuar nga deputeti Pjerin Ndreu për disa ndryshime në Kodin Rrugor. Opozita nuk ka bërë asnjë koment për këto ndryshime, por nisma kërkon 84 vota që të miratohet. Po në seancën e 19 korrikut është planifikuar edhe miratimi i një projektligji për disa ndryshime në Kodin Ajror. Në datën 23 korrik është planifikuar miratimi i projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Nisma e propozuar nga deputeti Taulant Balla përcakton disa rregulla, kushte dhe procedura të reja, për arrestimin e deputetëve, duke reflektuar në Rregulloren e Kuvendit një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale. Ndryshimet parashikojnë që Prokuroria duhet të paraqesë prova kur t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit për një deputet, me qëllim për ta arrestuar. Ndryshimi parashikon që deputeti nuk mund të arrestohet duke u bazuar në dyshime të arsyeshme dhe indicie.
Disa nga projektligjet e parashikuara për t’u miratuar në muajin korrik
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. (9 korrik)
-Projektligji “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”. (9 korrik)
Projektligji “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”. (9 korrik)
-Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. (19 korrik)
-Projektligji “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”. (19 korrik)
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. (19 korrik)
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar. (23 korrik)
-Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”. (23 korrik)
-Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. (23 korrik)
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor”. (23 korrik)