Nesër do të futet në fuqi Akti Normativ për masat e veçanta administrative që do të hyjnë në fuqi menjëherë, deri në përfundimin, e asaj që kryeministri Edi Rama e cilëson si luftë për të mbrojtur sa më fort jetën e çdo shqiptari.
Kreu i qeverisë shkruan se sapo ka përfunduar konsultimet e qeverisë në distancë dhe kanë vendosur që nga e hëna ata që janë të punë, shtet apo privat të lejohen të lëvizin me makinë në dy orare, vetëm deri në orën 08:00 të mëngjesit kur të arrijnë dhe nga ora 16:00 deri në orën 17.00 të pasdites për t’u kthyer në shtëpi.
Por në këtë orar, pra në mëngjes deri në orën 08:00 dhe pasdite 16:00-17:00 mund të lëviznin edhe qytetarët e tjerë që kanë makinë, pra të gjithë, por vetëm në këtë fashë orare.
“Sapo kemi mbaruar konsultimet e qeverisë në distancë! Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites
Qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtja/ardhje në punë.
Shkelja e regjimit të qarkullimit të imponuar nga kushtet e luftës me armikun e padukshëm që kërkon pengje në familjet tona, do të ndëshkohet me heqjen e patentës së drejtimit per 3 vjet dhe sekuestrimin e automjetit! Qeveria do të publikojë nesër aktin – normativ për masat e veçanta administrative që do të hyjnë në fuqi menjëherë, deri në përfundimin e kësaj lufte për të mbrojtur sa më fort jetën e çdo shqiptari” shkruan Rama. /Shqiptarja.com