Kjo javë do të jetë vendimtare për fatin e presidentit Ilir Meta. Nesër, pra më 18 janar, do të mbahet seanca publike për vendimin e Kuvendit mbi shkarkimin e presidentit nga detyra. Edhe pse pati valë kërcënimesh dhe akuzash nga kreu i shtetit, kjo gjykatë do të mblidhet sot dhe 7 anëtarët e saj janë para provës së madhe.
Presidenti ka luftuar fort që të prishë balancat dhe të mos arrihet numri i 5 votave pro, por fakti që ka nisur me sulmet tregon se nuk i ka ecur shumë plani, por mbetet të shihet se si do të vijojë çështja. Të martën do të jetë vetëm seanca e parë publike dhe Kushtetuesja më pas do të marrë kohë sa i takon vendimit, ose mund të kemi të tjera seanca.
Megjithatë gazeta ka mësuar se Kuvendi dhe juristët e tij kanë përgatitur një mbrojtje të fuqishme në seancë. Sipas burimeve, përveç raportit që i shkoi gjykatës që në qershor, pritet të dorëzohen të gjitha provat që ka mbledhur komisioni hetimor. Mësohet se janë mbi 90 prova, ku bëhet fjalë për dëshmi, video, dokumente dhe vendime të Komisionit të Venecias.
Sipas burimeve, mazhoranca i trembet një shkrese për Komisionin e Venecias, e cila do sillte vonesa dhe për këtë arsye në dosje janë 3 vendime të ngjashme të Venecias. Presidentit u shkarkua për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet e 25 prillit dhe provat më të forta kundër tij do jenë CD me deklarata, konferenca shtypi, intervista. Mësohet se janë 27 CD që i ka dorëzuar Autoriteti i Medias Audiovizive nga transmetimet mediatike. Bëhet fjalë për konferenca shtypi nga Meta. Ndërsa 10 CD të tjera përbëjnë deklaratat e presidentit dhe në studio televizive.
Shkresat
Pjesë e provave do të jenë dhe një sërë shkresash të mbërritura nga institucionet. Disa prej shkresave janë: Shkresa e Gjykatës Kushtetuese nr. 211/1 prot., datë 17.05.2021 mbi korrespondencën me Presidentin e Republikës gjatë periudhës objekt hetimi; Shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme nr. 770/1, datë 11.05.2021 lidhur me veprat penale apo kallëzimet e regjistruara të lidhura me zgjedhjet për periudhën e fushatës zgjedhore 2021
Shkresa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nr. 3851/1, datë 12.05.2021 lidhur me veprat penale apo kallëzimet e regjistruara të lidhura me zgjedhjet për periudhën e fushatës zgjedhore 2021; Shkresa e Shërbimit Informativ të Shtetit nr. 446/1, datë 11.05.2021 lidhur me objektin e hetimit të Komisionit, protokolluar në Kuvend me nr. 1081/18, datë 11.05.2021. etj.
Po ashtu si prova janë dhe Opinionet e Komisionit të Venecias dhe raportet e ekspertëve ligjorë Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri. Sa i takon opinioneve të Venecias, bëhet fjalë për: Opinioni nr. 959/2019, CDL(2019)027 “Shqipëria-Projekt opinion për pushtetet/kompetencat e presidentit për të caktuar datat e zgjedhjeve në një sistem parlamentar”; Opinion no. 886/2017, CDL-AD (2017)014 “Republic of Moldova-opinion on the proposal by the President of the Republic to expand the president’s poëers to dissolve parliament”; Opinion CDL (1995)005e-restr, datë 16 janar 1995 “Commentary on the draft albanian constitution as submitted for popular approvalon 6 november 1994”.
Prova të tjera janë një vendim i Gjykatës së Strasburgut dhe vendime të vetë Gjykatës Kushtetuese. Pra duket se do kemi një betejë të fortë në Kushtetuese dhe mbetet të shihet nëse Presidenti do dërgojë përfaqësues apo do e shmangë.