Opinioni i Komisionit të Venecias për shkarkimin e presidenti Ilir Meta ka sjellë një kaos në media dhe në opinionin politik. Konstitucionalisti Sokol Hazizaj ka thënë dje në një prononcim për “TCH” se duhet një ligj për presidentin dhe shtoi se Komisioni i Venecias e kishte shumë të lehtë të prodhonte një mendim për shkarkimin e Metës.
“Komisioni i Venecias ka mbajtur një qëndrim fare të thjeshtë, që do të thotë që ka vlerësuar tejkalimin e prodhimit të një dekreti, të një akti administrativ, i cili mund të mos prodhohej, për ta shfuqizuar, sepse ky është vlerësim i kuadrit politik dhe pamundësi e vlerësimit të këtij akti, si veprim i rëndë kushtetues. Sepse rastet e gabimeve të rënda parashikohen në Kushtetutën e Shqipërisë. Pra, Komisioni i Venecias i ka ngelur të njëjtit etyd të vlerësimit të Kushtetutës kur ajo është prodhuar në vitin 1998”, u shpreh Hazizaj. Ndërkohë Saimir Vishaj e shikon vendim e Venecias në një këndvështrim, tjetër në atë të legjitimimit të 30 qershorit. “Komisioni i Venecias është bërë mbi bazën e vendimeve që kanë dhënë qoftë KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Ndërkohë i vetmi institucion që ka mbetur pa u shprehur mbi këtë gjë është Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi Komisioni i Venecias duke pasur parasysh vendimin e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, të cilët patën ndikim nga një subjekt politik për datën 30 qershor.
Edhe ata iu përmbajtën datës rigoroze që data 30 qershor si datë zgjedhjesh për zgjedhjet lokale ishte e ligjshme”, tha Vishaj. Sipas konstitucionalistit Hazizaj, Komisioni i Venecias prodhoi një nevojë urgjente për të hartuar ligj për Presidentin. Ai thekson se e vetmja alternativë tani është tek tejkalimi jo tek gabimi. “Mënyra se si është shprehur tejkalimi me gabimin është një vizore është një drejtëz, e cila mendoj që të dyja palët do ngelen në polemikën paqësore tashmë, që gjithë këtë polemikë ja kanë hedhur Komisionit të Hetimit, i cili do të jetë në pamundësi për të vepruar tashmë. E vetmja alternativë që mendoj unë që konkluzioni që do dali komisioni është që tek tejkalimi jo tek gabimi. Po për mua do të kishte vlerë një komision i cili do të impononte Kuvendin për të prodhuar një ligj për disiplinimin e lirisë së Presidentit të Republikës”, tha ai. Nga ana tjetër Vishaj vendos theksin tek Gjykata Kushtetuese, si i vetmi organ ligjvënës që mund të vendosë për shkarkimin. “Nuk ka lidhje as mazhoranca apo asnjë subjekt politik, për shkarkimin e presidentit Meta, për aq kohë sa i vetmi institucion kushtetues që mundet të shkarkojë me vendimmarrje është Gjykata Kushtetuese. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë efekt juridik në organin ligjvënës që është Kuvendi i Shqipërisë”, u shpreh ai. /Agjensia e Lajmeve Sot News/