Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për sulme ndaj drejtësisë, të cilat sipas tij synojnë mbrojtjen e interesave personale dhe të bashkëpunëtorëve të qeverisë. Berisha shkruan se, ndonëse vendi po përballet me pasoja të rënda nga përmbytjet, nga Gjirokastra në Shkodër, Rama nuk ka folur për qytetarët e prekur, pasi përgjegjësia, sipas tij, bie mbi qeverinë për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e fondeve të infrastrukturës mbrojtëse.
Në reagimin e tij, Berisha e akuzon Ramën dhe shumicën parlamentare se ka bllokuar drejtësinë për të shmangur arrestimin e Belinda Ballukut. Ai shton se sulmet e Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve janë shenjë e frikës nga drejtësia dhe një thirrje për qytetarët që të kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Ky qëndrim i Berishës vjen në kontrast të fortë me deklaratat e mëparshme të vetë Berishës, i cili ka sulmuar vazhdimisht institucionet e reja të drejtësisë, duke e quajtur SPAK një “organizatë kriminale”. Ai ka hedhur akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, si dhe ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke i akuzuar për veprime të paligjshme dhe shërbim politik. Këto deklarata e bëjnë reagimin aktual të Berishës ndaj kritikave për drejtësinë të duket paradoksal, duke e vendosur atë në një pozicion hipokrit në debatin publik./nl/TemA






