Nga Rigels Seliman
Viti 2019 do të mbahet mend si viti që ka shkaktuar më shumë përplasje politike në Shqipëri gjatë këtyre 3 dekadave demokraci. Protagonist ka qenë presidenti Ilir Meta, i cili rrezikon të kujtohet si presidenti që ka luftuar më ashpër me qeverinë.
Edhe pse kur u betua në korrik të vitit 2017, Meta u shpreh se do të qëndronte mbi palët dhe ishte i bindur se politika nuk do të ndikonte aspak në punën e tij si President i Republikës, nuk ka ndodhur aspak kështu. Meta ushtron detyrën e kreut të shtetit prej më shumë se dy vjet e gjysmë, por pavarësisht se është aty me votat e mazhorancës socialiste, ai ka kthyer të gjitha rekordet e paraardhësit të tij, Bujar Nishani, sa i takon përplasjeve me ekzekutivin.
Përplasjet mes Metës dhe qeverisë kanë qenë evidente gjatë këtyre viteve, sikundër ishin ato për mosdekretimi e dy ministrave Sandër Lleshaj dhe Gent Cakaj, me justifikimin se figurat e tyre ishin deri diku kontraversale për kreun e shtetit. Mirëpo, këto përplasje kanë arritur kulmin gjatë vitit 2019, kohë kur presidentit Meta në mënyrë të papritur përmes një dekreti anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke goditur kështu pluralizmin në Shqipëri. Në 8 qershor të këtij viti, Meta argumentoi se ky vendim është marrë për të ç’tensionuar situatën dhe rrezikun për përshkallëzimin e paparashikueshëm të konfliktit në vend, ndërsa shtoi se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta.
Por ky vendim i kreu të shtetit u injorua nga mazhoranca, e cila jo vetëm që hyri në zgjedhje, duke mos njohur dekretin e Metës, por e sulmoi këtë të fundit ashpër, ndërsa në shenjë revolte ngriti një komision hetimor. Komisionit hetimor i mbaron afati në 8 prill të vitit 2020, ndërsa mazhoranca vijon të shprehet e bindur se në finale do ta shkarkojë Metën nga detyra. Më pas, disa muaj pasi i kishte anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenti i Republikës dëshmoi për më shumë se dy orë në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. Ilir Meta tha se kishte pasur informacione se në 8 qershor do të digjej Kuvendi gjatë protestës së opozitës, ndërsa shtoi se zgjedhjet për hir të demokracisë, i kishte shtyrë dhe Ramiz Alia. Marrja në pyetje nuk prodhoi debate dhe seanca ishte e qetë e me respekt reciprok.
Por edhe këto pretendime të artikuluara nga Meta nuk e zbutën luftën mes Presidencës dhe Qeverisë, e cila edhe sot që flasim është tejet e ashpër. Nga ana tjetër, kreu i shtetit në pamundësi për ta goditur mazhorancën politikisht, po përdor dekretet si “armë” kundër saj, pasi i ka kthyer shumë ligje për rishqyrtim, sikundër ligji më i freskët ishte ai për rininë. Megjithatë, tanimë sytë e të gjithëve janë tek viti që vjen, për të parë nëse kriza politike do venitet apo thellohet edhe më shumë. /Ekskluzive.al