Byroja Kombëtare e Hetimit duket se do të jetë “qershia mbi tortë” e reformës në drejtësi. Ndërkombëtarët i kanë kthyer sytë tek ky organ, pasi falë tij pritet të kopsiten dosjet e bujshme të krimit dhe korrupsionit. Ditën e premte, kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja njoftoi hapjen e garës për kreun e BKH. Por si do të funksionojë ky organ? Në nenin 39 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” jepen detaje mbi shërbimet e Policisë Gjyqësore të BKH.
Në këtë nen theksohet se BKH ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit me institucione të tjera, por edhe të ndihmojë Prokurorinë e Posaçme për hetimet me institucionet e tjera. “Oficerët nga shërbimet e Policisë Gjyqësore konkurrojnë për të punuar pranë shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit për një periudhë pesëvjeçare. Gjatë këtij mandati, ata paguhen nga Byroja Kombëtare e Hetimit, raportojnë tek zëvendësdrejtori dhe do të vlerësohen nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ata janë të pavarur prej institucionit të tyre dhe vendosen nën varësinë procedurale hetimore të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Në përfundim të këtij mandati, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dërgon vlerësimet tek institucioni prej të cilit ka ardhur oficeri i Policisë Gjyqësore. Oficeri i shërbimeve të Policisë Gjyqësore gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni”, thuhet në ligj.
Monitorimi i prokurorëve të SPAK
Një tjetër rol i rëndësishëm që do të ketë BKH është edhe monitorimi i telefonatave apo llogarive bankare të prokurorëve të SPAK. Në nenin 42, theksohet se oficeri përgjegjës për mbikëqyrjen është një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit me të paktën pesë vite përvojë si oficer i Policisë Gjyqësore, ndërsa me një mandat 6-mujor emërohen me short dy hetues si oficer përgjegjës për monitorim. Oficeri përgjegjës ka për detyrë të monitorojë në mënyrë periodike telefonatat e kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të SPAK. “Një oficer përgjegjës, sipas pikës 2, të këtij neni, kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative; Oficeri tjetër përgjegjës, sipas pikës 2, të këtij neni, kontrollon vëzhgimin periodik të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, sipas nenit 50, të këtij ligji. Oficeri përgjegjës ushtron gjithashtu edhe funksionin e ndërlidhësit me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave”, thuhet në nenin 42.
Zyrat e BKH
Por në ligj janë përcaktuar edhe vendndodhja se ku do të jenë zyrat e BKH. Në nenin 10 thuhet se BKH do të ushtrojë ndikim jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit. Në këtë nen theksohet se mund të krijohen zyra të përkohshme ose të përhershme jashtë kryeqytetit. “Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kanë vendndodhjen në Tiranë dhe e ushtrojnë juridiksionin e tyre penal në të gjithë territorin e Shqipërisë. Byroja Kombëtare e Hetimit mund të krijojë zyra të përkohshme ose të përhershme jashtë Tiranës, për të përmbushur qëllimin e saj; Prokuroria e Posaçme ka juridiksion penal për hetimin dhe ndjekjen penale të çdo vepre të parashikuar nga nenet 8 dhe 9, të këtij ligji, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në nenin 10 të ligjit.