Nga Adriatik Doçi
Kur ishim të vegjël fshiheshim për të mos bërë vaksinën. Sapo shfaqej infermierja me atë çantën e frikshme, dikush futej nën krevat, dikush hipte mbi çati, dikush fshihej pas ndonjë peme. I vetmi që shpëtonte më gjatë nga vaksina ishte një qerrata, i cili hipte në majë të plepit.
Lulzim Basha theu çdo rekord, tre vite me temperaturë dhe diarre, kur Prokuroria e thërriste për dosjen Durrës-Kukës. Fatmir Mediu, ka evituar disa seanca për Gërdecin, për shkak të angazhimeve në SHBA, pasi radhën e kaluar i kishin mbetur disa amerikanë në një metro pa bërë fotografi me ta.
Sali Berisha ka disa variante për t’u turpëruar në pleqëri, duke iu fshehur SPAK-u për të dhënë llogari për 21 Janarin, një nga krimet e tij njerëzore të pandëshkuara. Mund të bëjë letrat sikur është me diarre deri vitin tjetër. Mund të gjejë një thanë në Tiranë apo në periferi, duke hipur majë saj. Mund të hajë letrën e SPAK-ut. Por, nuk mund t’i shpëtojë kurrë fantazmës së 21 Janarit dhe disa pyetjeve;
-Kush e dha urdhërin për të hapur zjarr pasi protestuesit po shpërndaheshin?
-Kush urdhëroi fshirjen e pamjeve filmike mesnatën e 21 Janarit nga serveri i Kryeministrisë?
-Kush urdhëroi që të mos zbatoheshin urdhër-arrestet për kupolën e Gardës?
-Kush e dërgoi Lulzim Bashën tek Bamir Topi për të ndërhyrë tek Ina Rama për të tërhequr urdhër-arrestet?
-Kush urdhëroi ngritjen e komisionit hetimor për të dubluar dhe sabotuar hetimin?
-Kush çoi njerëz natën tek familja Deda për të blerë gjakun e Hekuran Dedës dhe për t’a nxitur familjen e tij të akuzonte Edi Ramën?
-Kush urdhëroi të fshihej gazetari i plagosur dhe kush sajoi 30 alibi për vrasjet në bulevard?



