Analisti Frrok Çupi përmes një komenti të hollë ka analizuar çfarë fshihet pas veprimeve të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Komenti i plotë:
Nga këta të katër, një e gjysmë janë në jetë
Këta janë Ilir Meta, Sali Berisha, Lul Basha dhe Albin Kurti. Secili prej tyre është një tip më vete, por të katër së bashku bëjnë ‘një’. ‘Si një trup i vetëm’ janë bashkuar për t’i ndërruar drejtimin zhvillimit të Shqipërisë nga ‘përpara’ në një drejtim tjetër. Taktika që kanë zgjedhur është konflikti; konflikt sa më i gjerë dhe i thellë brendapërbrenda kombit.
Harta e konfliktit është spostuar nga një konflikt ‘tironc’, domethënë në bulevardin e madh të kryeqytetit ose rreth selisë së qeverisë dhe selisë së Parlamentit, në një konflikt që figurshëm mund të kodifikohet si ‘konflikti i Kalimashit’. Tani nuk ka më gjurmë konflikti në Tiranë, sepse këtu ndodhet ‘Amerika’.
Nuk e mbani mend pse aq shpesh dyshja kosovare Kurti- Osmani urdhëronin për hapjen e ‘traut të Kalimashit’, urdhër që dukej sikur ata të dy ishin edhe qeveri e shtetit të Shqipërisë?! Ëndrra për të zaptuar kreun e qeverisjes së Shqipërisë rri natë e ditë zgjuar tek entourage i Kurtit të Kosovës.
Cilat janë mjetet që po përdorin deri më sot?
Mjeti i parë është ‘nacionalizmi bosh’ për të cilin që të katër janë ‘papagaj’ të zellshëm dhe rrënues të vërtetë të nacionit, njëkohësisht. Mendoni një gjë: Sot që po shkruaj këtë shënim, në Kosovë kanë vdekur një numër kampion- 11 vetë, nga coronavirus-i, por qeveria nuk e çan kokën; qeveria e ka punën me konfliktin etnik. Në Korçë ku u mbajt një Festë ‘për qejfin tonë’, lëvizja VV e Kurtit futi duart dhe hapi gaz lotsjellës për të verbuar të madh e fëmijë, ose të paktën për të prishur festën. Një ‘alien’ i VV së Kosovës në Shqipëri dha lajmin e gëzuar se ‘pa këtë armë nuk do të kishte kuptim festa!’.
Mjeti i dytë, konflikti me armë:
Ka ndodhur vetëm një herë në historinë tonë kombëtare që një ministër kuisling kosovar, Xhafer Deva, brenda natës ka vrarë në Tiranë 86 qytetarë, dhe kjo datë ishte 4 shkurt 1944. Por ai ishte kot ‘një kosovar’, sepse i përkiste qeverisë kuislinge të Tiranës. Përsëritja, sado pak, e dhunës prej pjesës tjetër të kombit, zgjon kujtime të hidhëta si në ‘44. Këtë po bën Kurti.
Mjeti i tretë, të vij në shtëpi e të bëj ligjin:
Nuk ka ndodhur asnjëherë, në gjithë botën, kur një pjesë e kombit e mbetur jashtë kufijve shtetëror, të kërkojë përmbysjen e rendit dhe të qeverisë në atdheun amë. As mes Kosovës e Shqipërisë nuk ka ndodhur më parë. Vetëm tani, qeveria Kurti e Kosovës kërkon rrëzimin e qeverisë dhe të rendit në Shqipëri. Kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje disa herë për të përmbysur qeverinë Rama. Sipas politikës në Kosovë, pjesa tjetër e kombit i bëhet opozitë politike Shqipërisë. Ajo ka instaluar grupime politike si ‘opozitë’ e rendit kushtetues shqiptar, ose si qeliza dhune. Opozita që përfaqëson VV e Kurtit ka bërë thirrje për përmbysje.
Mjeti i katërt: Ushtri e përbashkët me brezin e humbur:
A do të jetë e armatosur apo jo, ushtria e Albin Kurtit, kjo nuk ka rëndësi. Puna është se në njëmijë mënyra përgatit sulme kundër qeverisë së zgjedhur me votë në Tiranë. Arsyetimi i vetëm i luftës është se ‘duhet të mos jetë Edi Rama!’. Pse? Pse është nga Jugu i vendit dhe Kurtit i duhet një nga katundi i vet, siç është Berisha? As kjo nuk është thelbësore. Thelbi është që të rrëzohet Rama si një garant i Reformës në Drejtësi dhe i besuar i Amerikës. Grupimi ku mbështetet plani për rrëzimin e qeverisë ‘Rama’ dhe për të dëbuar influencën e Amerikës, mund të quhet si në letërsi ‘Brezi i humbur’.
Ku spostohet konflikti ballkanik?
Nëse punët me mendjen e Kurtit do të marrin këtë vijë, atëherë herën tjetër nuk do të flitet më për një ‘konflikt permanent Serbi- Kosovë’, por për një konflikt Kosovë- Shqipëri. Konflikti mes shqiptarëve në të dy shtetet e tyre, do të ishte tragjike, do të ‘’fshijnë’ historinë e re të hapjes dhe të demokratizimit në mbarë kombin.
Në këtë pozitë janë së bashku të katër: Berisha, Meta, Luli dhe Kurti. Çfarë janë këta të katër? Berisha dhe Meta janë duke perënduar përjetë; pritet do të vihen para Drejtësisë për krimet dhe korrupsionin e kryer. Basha i PD, një kukull e Berishës, ka disa dosje korrupsioni dhe krimi; por pritet si do të reagojë. Atij i kërkohet që të mbajë anën e Drejtësisë dhe të Perëndimit. Sot për sot është vetëm ‘gjysmë’, me Albinin bëhen një e gjysmë.
Nga të katër, mbeten dy ‘të vdekur’ dhe një e gjysmë në jetë.