Një veçori pak e njohur e sigurisë në iPhone është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi pengoi përpjekjet e autoriteteve federale amerikane për të kontrolluar pajisjet e sekuestruara të një gazetareje. Kohët e fundit, “Modaliteti i Bllokimit” (Lockdown Mode) i Apple i pengoi agjentët e FBI-së të hynin në iPhone-in e gazetares së Washington Post, Hannah Natanson.
Agjentët sekuestruan telefonin dhe pajisje të tjera gjatë një kontrolli në shtëpinë e saj, si pjesë e një hetimi ndaj një kontraktori të Pentagonit. Megjithatë, FBI raportoi se ekipi i tyre i specializuar “nuk mundi të nxirrte” të dhëna nga iPhone sepse ishte aktivizuar ky modalitet.
Pra, çfarë është saktësisht ky modalitet, si funksionon dhe a duhet ta përdorni?
Çfarë është “Lockdown Mode”?
Apple e përshkruan këtë si një mjet mbrojtjeje “opsional dhe ekstrem”, i projektuar për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike shumë të sofistikuara (si ato të sponsorizuara nga shtete). Ai është i disponueshëm në iOS 16, macOS Ventura dhe versionet më të reja.
Funksioni vendos kufizime të rrepta në aplikacione dhe veçori për të zvogëluar “sipërfaqen e sulmit” që mund të shfrytëzojnë programet spiune (spyware).
Pse Kodi është më i sigurt se Biometria?
Një mësim i rëndësishëm nga ky rast lidhet me mënyrën se si e kyçni telefonin.
Biometria (Fytyra/Gishti)- Ligjërisht, autoritetet në shumë vende mund t’ju detyrojnë ta hapni telefonin duke e mbajtur atë para fytyrës ose duke vendosur gishtin në skaner.
Kodi (Passcode)- Ekspertët thonë se kodet janë më të sigurta ligjërisht, pasi autoritetet e kanë më të vështirë t’ju detyrojnë të tregoni një fjalëkalim që keni në mendje.
Në rastin e Natanson, agjentët kishin urdhër për të përdorur biometrinë e saj, por ajo e kishte çaktivizuar atë dhe përdorte vetëm kodin. FBI pranoi se “nuk mund ta detyronte të jepte kodet e saj”.
Si ndikon ky modalitet në telefonin tuaj?
Kur aktivizoni “Lockdown Mode”, telefoni nuk do të sillet si zakonisht. Ja çfarë ndryshon:
Mesazhet- Shumica e bashkëngjitjeve (foto/video) bllokohen.
Interneti- Disa faqe mund të ngarkohen ngadalë, imazhet mund të mos shfaqen dhe shkronjat (fontet) mund të ndryshojnë.
FaceTime- Thirrjet nga njerëz që nuk i keni telefonuar kurrë më parë bllokohen automatikisht.
Fotot- Informacioni i vendndodhjes hiqet kur ndani foto.
Lidhjet- Telefoni nuk lidhet automatikisht me kompjuterë apo aksesorë të pasigurt USB.
Nëse përpiqeni të skanoni një kod QR në një restorant ose palestër përmes shfletuesit të internetit, kamera mund të mos funksionojë. Do t’ju duhet ta fikni modalitetin për të kryer veprime të tilla.
Si ta aktivizoni (hap pas hapi)
Nëse mendoni se keni nevojë për këtë nivel sigurie, ja si ta bëni:
Shkoni te Privacy & Security (Privatësia dhe Siguria).
Zbritni në fund dhe prekni Lockdown Mode (Modaliteti i Bllokimit).
Futni kodin tuaj të telefonit (Passcode).
Pajisja do të riniset (restart) dhe do të jetë nën mbrojtje maksimale.
Për ta çaktivizuar, ndiqni të njëjtat hapa.
Apple thotë qartë: “Shumica e njerëzve nuk do të jenë kurrë shënjestër e sulmeve të kësaj natyre”. Për përdoruesin mesatar, ky modalitet mund të jetë i bezdisshëm sepse kufizon funksione të përditshme. Megjithatë, për gazetarë, aktivistë, apo zyrtarë që mund të jenë në rrezik përgjimi, ky është mbrojtja më e fortë që Apple ofron.






