Zhvillimet e sotme në jetën parlamentare shqiptare, nuk janë të reja. Risi ka qenë vetëm përdorimi i miellit dhe ujit si “armë” për të qëlluar deputetët njëri-tjetrin.
Kundërshtimi i dhunshëm opozitar nisi që me plagosjen e Azem Hajdarit nga Gafurr Mazreku gati 20 vjet më parë.
Që pas asaj ngjarjeje, deputetët do të kontrolloheshin për armë apo mjete të forta dhe në seancë u vendos grupi i gatshëm që do të ndalonte përplasjen mes parlamentarëve.
Rregullorja e re u miratua në vitin 1998, pas Kushtetutës së re, por gjithsesi ajo nuk solli paqen në Kuvend.
Gjatë viteve 1997-2005 eksesi më i madh ishin fjalimet me tone të forta të protagonistëve në sallë.
Në të shkuarën, Parlamenti brenda nuk ruhej nga gardistë por sheshi ishte i lirë për këdo që të fliste dhe të dilte në foltore.
Në vitin 2005 nisi një lloj tjetër politike, kur mazhoranca dhe opozita komandoheshin nga qendra të forta komunikimi që përcaktonin strategjinë e veprimit.
Edi Rama sapo u zgjodh kryetar i PS-së në vitin 2005, vendosi që të ashpërsojë qëndrimin opozitar në Kuvend.
Qeveria e Sali Berishës priste të firmoste Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian.
Në seancat e Kuvendit një grup deputetësh socialistë u bënë të njohur se futën bilbila në sallë dhe i frynin ato duke sjellë ilaritet.
Situata edhe pse e zhurmshme nuk pengoi procesin parlamentar. Në korrikun e vitit 2006 ndodhi një nga ngjarjet më të rënda për kohën kur deputetët e LSI-së me Ilir Metën në krye pushtuan podiumin e Kuvendit në proteste ndaj emërimit të një përfaqësuesi të PD-së në KQZ siç ishte Arben Ristani.
Me acarimin e situatës politike kryesisht pas ngjarjes së Gërdecit dhe pranimit të Shqipërisë në NATO, opozita e Ramës përdori grumbullimin te foltorja.
Kjo solli reagimin e ashpër, të kryeparlamentares së asaj kohe Jozefina Topallit, por edhe të Kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha.
Topalli mbahet mend për thirrjet drejtuar gardistëve për deputetët e PS-së, Taulant Balla e Erjon Braçe: “Nxirreni për zhelesh”.
Kurse Berisha pas përmendjes nga Balla të familjarëve të Berishës, përveçse ja ktheu se nëna e motra e deputetit të PS-së ishin “prostituta”, i tha publikisht se “ta bëj lëkurën më të zezë se këpuca”.
Me këto pamje u mbyll sezoni parlamentar 2009-2013 që përjashtimin e deputetëve të opozitës e kishte si “bukë e djathtë”.
Në vitin 2013, në maj, përpara se të fitonte aleanca PS-LSI u miratua rregullorja e re kur qeveria dhe opozita kanë të njëjtën hapësirë në seancë.
Në legjislaturën 2013-2017 kjo hapësirë shihej përgjithësisht nga Sali Berisha, i cili kishte lejën publike të kryeparlamentarit Ilir Meta që të flasë pa kufi.
Pasi LSI doli në opozitë dhe Gramoz Ruçi u zgjodh në krye të Kuvendit, ky i fundit i vuri Berishës një kufi, madje edhe e “uli në vend”.
E tani që deputet është edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga shtatori 2017 lufta politika ka ardhur e është bërë më radikale.
Të enjtet e Kuvendit janë më shumë se kurrë “luftarake”. Pra nuk paska qenë thjesht ndalimi i fjalës së Sali Berishës zgjidhja. As shkruarja e rregullave dhe zbatimi i rregullores.
Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë në janarin e këtij viti u përdorën tymueset që u dukën se imituan skenat e partisë opozitare të Vetëvendosjes në Prishtinë. Aksionet simbolike të deputetëve të opozitës në parlament, vazhduan edhe me goditje me miell dhe me vezë kundër maxhorancës.