Ashtu si në çdo edicion tjetër, përveç çmimeve individuale të dhënë për futbollistët shqiptarë të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre përgjatë vitit 2024, është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit.
Për të shpallur emrat e fituesëve është ftuar në skenë Sulejman Mema, ish-trajneri i njohur shqiptar. Mema lexoi emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisioneve sportive në televizionet shqiptare.
Nga porta në sulm, 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre përgjatë vitit 2024 janë këto: Alen Sherri (portier), Edison Ndreca (mbrojtës i majtë), Renato Malota (qendërmbrojtës), Arbenit Xhemajli (qendërmbrojtës), Arsid Kruja (mbrojtës i djathtë), Arinaldo Rrapaj (mesfushor i majtë), Albano Aleksi (mesfushor qendre), Arbin Zejnullai (mesfushor i djathtë), Ermir Rashica (sulmues i majtë), Bekim Balaj (sulmues qendre) dhe Baton Zabërgja (sulmues i djathtë).
11 futbollistët u ngjitën në skenë dhe tërhoqën çmimet, teksa nuk munguan falënderimet e rastit dhe një foto e të gjithë ekipit së bashku.