Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë nga Rubiku se në ish-uzinë e bakrit do të hapet një qendër e prodhimit të industrisë ushtarake. Transformimi i kësaj uzine, sipas Ramës pritet të hapë një faqe të re në fushën e mbrojtjes por edhe të ekonomisë së vendit, e cila do te rrisë edhe punësimin ne zone.
Adriatik Llaha kapiten i Forcat e Armatosura dhe zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha në një intervistë për Euronews Albania se ish-uzina e Rubikut është vetëm e fundit nga asetet shtetërore që do të rivitalizohen duke iu përshtatur teknologjisë bashkëkohore të NATO.
Ai tregoi se janë edhe 5 uzina dhe fabrika shtetërore që do të rivitalizohen dhe do të vihen në shërbim të industrisë së mbrojtjes.
“Uzina e Rubikut nuk është e vetmja që i është bashkuar rivitalizimit të industrisë ushtarake, janë edhe ish-uzina e mjekësit, uzina e Gramshit dhe kombinati mekanik në Poliçan që janë pjesë e kompanisë shtetërore KAJO. Janë edhe dy astete të tjera ish-uzina e autotraktorëve dhe Pashalimani. Ka qenë një përpjekje disavjeçare, astetet nuk kanë qenë në funksion të plotë për shkak të teknologjisë së vjetër që nuk është në përputhje me NATO. Ngritja e kompanisë shtetërore KAJO do merret me proceset aktive të prodhimit të demilitarizimit”, shpjegoi ai.