Nga Adriatik Doci
Në qershor të vitit 2020, Komisioni i Vetingut përjashtoi për një periudhë 15-vjeçare nga drejtësia gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Amarildo Laçin. Vendimi erdhi pasi Laçi dha dorëheqjen nga sistemi duke evituar përballjen me procesin e Vetingut. Ish gjyqtari ishte ftuar më datë 19 maj 2020 në seancë dëgjimore, për t’u njohur me rezultatet e një procesi hetimi që ka zgjatur një vit e 5 muaj. Por, Laçi ka kthyer përgjigje se kishte dhënë dorëheqjen. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut është rreth 90.
Por, ajo që e bënë të veçantë rastin e ish gjyqtarit Amarildo Laçin është fakti që Laçi figuron pedagog i brendshëm pranë Shkollës së Magjistraturës, shkollë nga e cila dalin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Nuk ka ndonjë shkelje ligjore, por pyetja që ngrihet është: Një ish gjyqtarë i përjashtuar nga drejtësia, si dhe çfarë mund t’u mësojë studentëve të Magjistraturës, të cilët do të bëhen nesër gjyqtarë dhe prokurorë?
Pranë Shkollës së Magjistraturës është pedagog edhe ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, i përjashtuar gjithashtu drejtën për t’u riemëruar në një pozicion në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, me vendim të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edhe pse kur Komisioni i Vetingut e ftoi për t’u paraqitur në seancë dëgjimore, Ligori tha se nuk e ushtronte më funksionin e prokurorit që në vitin 2018, Komisioni vendosi masën e përjashtimit për t’u rikthyer në sistem për 15 vite.
Në Shkollën e Magjistraturës jep mësim edhe ish anëtari i Gjykatës së Lartë, Perikli Zaharia, i cili ka marrë pjesë në mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, por Zaharisë i mbaroi mandati që në tetor të vitit 2009.
Ndërkaq, prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Komisioni i Vetingut për pasuri të pajustifikuara, rezultojnë në listën e ekspertëve të aktiviteteve trajnuese pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021. Pjesë e listës figuron gjyqtarja e Tiranës Alma Hicka, e shkarkuar nga detyra për pasurinë dhe konflikt interesi, gjyqtari i Administratives,
Amarildo Laçi, i përjashtuar nga drejtësia për shkak të dorëheqjes nga frika e Vetingut, ish prokurori Bilbil Mete për shkak të dorëheqjes nga sistemi për të evituar Vetingun, prokurorja Elina Kombi, por që është shkarkuar në vitin 2022, ndërsa zonja Kombi rezulton eksperte trajnimesh për vitin akademik 2020-2021.
Pjesë e listës është gjyqtarja Lindita Sinanaj, e shkarkuar nga Vetingu për fshehje pasurie, gjyqtarja Manjola Bejleri e shkarkuar nga detyra për pasurinë, gjyqtarja Mariana Dedi (Shegani) e shkarkuar për probleme me pasurinë, gjyqtari Spiro Spiro i shkarkuar gjithashtu nga detyra për probleme me pasurinë, Valbona Pajo (Bala) etj.