Dikur, vendgrumbullimet e mbeturinave për përpunimin e mbetjeve ishin të zakonshme në Europën Qendrore dhe Lindore, por sot, një valë reformash politike, ekonomike, teknologjike dhe investitorësh të zgjuar po ndërtojnë një model të ri: një ekonomi që vlerëson ripërdorimin, riciklimin dhe rishpikjen e mbetjeve të së djeshmes, në burimet e së nesërmes.
Në përpjekjen për të shkëputur rritjen ekonomike nga konsumi i burimeve, ekonomia qarkulluese është përhapur në të gjithë Bashkimin Europian. Ajo mundëson një qasje sistematike për përpunimin e burimeve, riciklimin dhe krijimin e zinxhirëve të furnizimit me qark të mbyllur.
Askund ky shndërrim nuk është më i dukshëm apo më i nevojshëm sesa në Europën Qendrore dhe Lindore. Nga firmat startup të riciklimit që i kthejnë mbeturinat në materiale të reja, e deri te korporatat shumëkombëshe që paketojnë ambalazhe ekologjike, rajoni po bëhet një terren prove për risinë e ekonomisë qarkulluese.
Nxitësit e politikave – Plani i Veprimit për Ekonominë Qarkulluese të BE-së
I nisur në vitin 2020, Plani i Veprimit për Ekonominë Qarkulluese (CEAP) sipas Marrëveshjes së Gjelbër Europiane është pika kyçe në strategjinë e BE-së, për të shndërruar mënyrën si shtetet anëtare i përpunojnë burimet.
Ai synon të përgjysmojë depozitimin e mbetjeve komunale deri në vitin 2030, të rrisë ripërdorimin dhe riciklimin e materialeve dhe të forcojë skemat e përgjegjësisë së prodhuesit (EPR). Në ndjekje të këtyre ambicieve, BE-ja ka vendosur synime që u kërkojnë shteteve anëtare të pakësojnë depozitimin e mbetjeve komunale me 10% deri në vitin 2035 dhe të arrijnë një normë riciklimi prej 65% deri në vitin 2035.
Për shumë vende në Europën Qendrore dhe Lindore, CEAP ka qenë njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi. Historikisht, rajoni është mbështetur shumë në depozitimin dhe djegien e mbeturinave. Deri një dekadë më parë, disa shtete të Europës Qendrore dhe Lindore depozitonin më shumë se 70% të mbetjeve të tyre komunale.
Sidoqoftë, përparimi ka qenë i shpejtë. Strategjitë kombëtare të përpunimit të mbetjeve, shpesh të mbështetura nga fondet strukturore dhe të kohezionit të BE-së, kanë nxitur zhvillimin e qendrave moderne të përpunimit të mbetjeve, kanë krijuar fushata arsimore për grupimin e mbeturinave dhe kanë nxitur sisteme më efikase të grumbullimit të mbetjeve.
Në të njëjtën kohë, Direktiva e Plastikës dhe rregulloret e paketimit, po i detyrojnë kompanitë të rishqyrtojnë paketimin e produkteve të tyre. Qeveritë e ndryshme, nga Lituania në Bullgari, po vendosin kërkesa më të rrepta ndaj prodhuesve, duke i shtyrë ata të ulin vëllimet e paketimeve plastike ose të investojnë në mundësi më ekologjike.
Për shembull, rregullorja e re e paketimit të Polonisë kërkon që prodhuesit të pakësojnë paketimet joekologjike, një qasje që po përhapet në të gjithë rajonin. Ndërsa këto politika po zbatohen, po nxitet edhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve.
Firmat startup që i kthejnë mbetjet në para
Nismat politike mund të kenë efekt nxitës, por motori i vërtetë i ekonomisë qarkulluese në Europën Qendrore dhe Lindore, është komuniteti sipërmarrës. Firmat lokale startup po krijojnë teknologji dhe modele biznesi që shndërrojnë mbetjet në burime të vlefshme.
Një shembull i dukshëm është Vinted, një firmë “unicorn” me seli në Lituani, e cila merret me riciklimin e veshjeve. Duke lehtësuar shitjet e veshjeve të përdorura, kompania ka ndihmuar në uljen e tarifave mjedisore për veshjet, duke rritur fitimet, si për përdoruesit, ashtu dhe për investitorët e saj.
Suksesi i firmës Vinted (me vlerë mbi 5 miliardë euro) ka frymëzuar metoda të ngjashme në tregje, duke treguar se riciklimi i një produkti nuk është thjesht një masë mjedisore, por edhe një propozim tërheqës tregtar.
Në të gjithë rajonin, sipërmarrje të tjera po shfrytëzojnë mbetjet, në mënyra mjaft krijuese. Një firmë hungareze me emrin Poliloop ka gjetur një zgjidhje bioteknike që zbërthen plastikën e zakonshme në biomasë të tretshme në natyrë.
Në Rumani, Green Group po ripërtërin shishet plastike, për t’i përdorur përsëri nëpër paketime dhe tekstile. Mbetjet ushqimore janë një tjetër shënjestër për ekonominë qarkore. Në Çeki, firma MIWA ka zhvilluar një sistem paketimi që mundëson rimbushjen e paketimit. Kjo i ndihmon dyqanet ushqimore të pakësojnë përdorimin e plastikës.
MIWA iu jep mundësinë konsumatorëve që të blejnë saktësisht sasinë që u nevojitet, duke ulur mbetjet e produktit dhe të paketimit. Nga ana tjetër, edhe supermarketet përfitojnë nga kosto më të ulëta operacionale dhe tërheqin një klientelë gjithnjë e më të ndërgjegjshme për mjedisin.
Shtytja ekologjike është e dukshme edhe në Sllovaki, ku firmat startup po punojnë për të shndërruar mbetjet organike (si mbetjet e perimeve dhe llumrat e kafesë), në plehra të pasura me lëndë ushqyese. Këto zgjidhje jo vetëm që zbusin emetimet e metanit, por gjithashtu janë mundësi me kosto efektive.
Ide të tilla të reja po tërheqin investime ndërkombëtare, veçanërisht nga fondet sipërmarrëse që po përqendrohen në ekonominë qarkulluese, sepse e shohin atë si një pjesë tregu në zgjerim. Me mbështetjen e këtyre politikave dhe me një sërë nënproduktesh industriale të pashfrytëzuara, i gjithë rajoni do të zhvillojë teknologji të reja që mund të përsëriten dhe të përhapen.
Shndërrimi i zinxhirëve të furnizimit
Ndërkohë që bizneset e reja shpesh tërheqin titujt kryesorë të mediave, korporatat dhe bashkitë mbeten aktorë vendimtarë në tranzicionin e ekonomisë qarkore. Prodhuesit, shitësit me pakicë dhe qeveritë lokale, po bëjnë përpjekje të përbashkëta për të pakësuar prodhimin e mbetjeve dhe për të përmirësuar infrastrukturën e riciklimit.
Ky bashkëpunim është i dukshëm në nisma si “Ortakët Closed Loop”, ku aktorë të shumtë ndajnë përgjegjësinë për ciklin e jetës së një produkti, duke filluar nga gjetja e lëndëve të para e deri te përpunimi.
Në Hungari, programi Pet2Pet që merret me paketimin e pijeve, ka qenë veçanërisht efikas. Ai nxit grumbullimin dhe riciklimin e shisheve, të cilat më pas ripërpunohen dhe u shiten prodhuesve fillestarë, duke krijuar një lak rrethor.
Kështu, duke integruar riciklimin në zinxhirët e tyre të furnizimit, kompanitë mund të kursejnë dhe të forcojnë prestigjin e tyre si firma ekologjike. Kjo po bëhet gjithnjë e më e vlefshme në epokën e sotme të konsumatorëve të ndërgjegjshëm.
Edhe shitësit me pakicë po hyjnë në veprim. Për shembull, disa zinxhirë supermarketesh në Poloni, si Żabka, kanë krijuar seksione me “zero mbeturina” ku klientët mund të mbushin kontejnerë të ripërdorshëm me arra, drithëra apo produkte pastrimi.
Kjo qasje sjell përfitime sepse tërheq klientë të përgjegjshëm nga ana mjedisore dhe shoqërore, duke ulur edhe mbetjet e paketimit. Në Sllovaki, gjithnjë e më shumë pika të mëdha të shitjes me pakicë, mundësojnë pajisje riciklimi nëpër dyqane dhe shpërblejnë me kuponë klientët që kthejnë mbrapsht kontejnerë qelqi ose plastikë.
Skema të tilla kanë rritur normat e riciklimit, duke treguar se si nxitësit financiarë mund të ndikojnë në sjelljen në shkallë kombëtare. Bashkitë po i rrisin përpjekjet duke investuar në stacione moderne të grupimit të mbetjeve dhe duke instaluar sisteme pagese “as-you-throw”, të cilat i tarifojnë banorët duke u mbështetur në sasinë e mbetjeve të pariciklueshme që ata krijojnë.
Qyteti çek Liberec, për shembull, ka caktuar tarifa të ndryshme për grumbullimin e mbeturinave shtëpiake, duke mundësuar zbritje për banorët që i grupojnë rregullisht mbetjet e riciklueshme. Kjo qasje e cila përdor çipa dixhitalë nëpër koshat e mbeturinave për të gjurmuar vëllimet e mbetjeve, thuhet se ka rritur normat e riciklimit me mbi 20% në vetëm dy vjet.
Mundësi për investitorët
Natyrisht, një ekonomi e fuqishme qarkulluese nuk mund të krijohet dot brenda natës. Ajo kërkon financim për infrastrukturën, teknologjinë dhe zgjidhjet ekologjike. Këtu mund të ndërhyjnë investitorët, veçanërisht ata në kapitalin privat dhe kapitalin sipërmarrës, për të shënjestruar sipërmarrje që operojnë në fushën e riciklimit, teknologjitë e përpunimit të mbetjeve dhe tregje dixhitale për mallrat e përdorura.
Kthimet e mundshme nuk janë thjesht financiare: investimi në ekonominë qarkulluese mund të ndihmojë investitorët të përmbushin kushtet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), të cilat po bëhen me shpejtësi një element kyç për menaxherët e aseteve dhe fondet e pensioneve.
Europa Qendrore dhe Lindore është e përgatitur për një investim të tillë. Kostoja e ngritjes së pikave të riciklimit pritet të jetë më e ulët se në Europën Perëndimore. Për më tepër, shumë qeveri në rajon ofrojnë grante, ulje tatimore ose kredi të subvencionuara për sipërmarrjet ekologjike, gjë që dëshmon se sa seriozisht e kanë marrë politikanët potencialin e ekonomisë qarkulluese.
Ndërkohë që po shtohen gjithnjë e më shumë talentet e reja, rajoni i EQL-së i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të rivalizuar rajonet e tjera të Europës.
Për investitorët e huaj, qoftë nga Europa Perëndimore, Shtetet e Bashkuara apo Azia, çmimet relativisht më të ulëta të rajonit dhe potenciali i madh i rritjes, e bëjnë atë një vend mjaft tërheqës./ Monitor