Avokat Spartak Ngjela ka rrëzuar dje të gjitha pretendimet e presidentit Ilir Meta. Teksa ky i fundit doli dje dhe firmosi live dekretin për zhbërjen e zgjedhjeve, për Ngjelën ai shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën. Gjatë një postimi në rrjetin social Facebook, avokati u shpreh se qëllimi i presidentit Meta është që të fusë vendin në anarki.
Spartak Ngjela tha se akti i presidentit është një veprim i rëndë që synon destabilitetin e vendit për të krijuar errësirë për të shpëtuar pasuritë e tyre të vjedhura dhe fshehur aktet e rënda penale. Ngjela deklaroi se procesi zgjedhor do të vijojë normalisht dhe zgjedhjet vendore do të mbahen në datën e caktuar.
“Kjo është krizë anarkike. Ky është qëllimi i këtij presidenti, që duhet të rrëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Data 30 qershor ka këtë pyetje: më kë jeni, me shtetin apo më anarkinë. Ilir Meta, Berisha dhe Basha duan anarkinë, që të shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të shpëtojnë pronat, paratë e grabitura në mbi 20 vjet, si dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit penal.
Po Komisioni Qendror Zgjedhjeve çdo të bëjë? Nuk do të pranojë një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, siç është antidekreti presidencial. Dhe zgjedhjet vijojnë procesin. Organi që zbaton një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm kryen një vepër penale”, u shpreh Ngjela.
Por sipas avokatit presidenti Meta po shpall luftë të hapur me Parlamentin, duke theksuar se me vendimin që mori presidenti duhet shkarkuar menjëherë. “Po Parlamenti çdo të bëjë? Kjo është një luftë midis parlamentit dhe cubëriusë anarkike dhe bandash antishtet. Parlamenti duhet ta fitojë këtë luftë dhe të shpëtojnë shqiptarët nga një anarki.
Duhet të fillojë urgjentisht me shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Pas kësaj ai nuk ka më forcë juridike. Le të presë Gjykatën Kushtetuese e të pijë birrë. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet parë edhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme është e vetmja kurë kundër anarkisë”, u shpreh Ngjela.
Reagon Kreshnik Spahiu
Po ashtu, edhe ish kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu u shpreh se vendimi i presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve ka si qëllim të fusë vendin në anarki. Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, ai deklaroi se Meta dhe Berisha janë regjisorët e destabilitetit në vend, duke shtuar se vetë kryeministri Rama ndjehet i tradhtuar nga presidenti që vendosi vetë. “Dekreti s’kishe as datë zgjedhjesh tjera dhe as bazë ligjore.
Dekreti Metës thjesht synonte të legjitimojë “Anarkinë” e Sali Berishës, i cili do u thotë ndërkombëtare pas gjak-derdhjes që pa planifikuar në 30 qershorit se “populli” mbrojti dekretin e presidentit. Në 1 korrik do shpall dëshmorët e votës lirë që mbrojtën institucionin e Presidentit. Meta dhe Berisha kanë dal hapur se ata janë regjisorë të protestave. Rama ndjehet i tradhtuar nga Presidenti që e zgjodhi me votat e tij në 2017.
Gjithsesi kriza po prek fundit. Askush nuk e rruan as për kushtetutën, as për institucionet, as për shtetin, as për stabilitetin, as për integrimin. Zero interes kombëtar dhe papërgjegjshmëri totale”, u shpreh Spahiu. /Elisjeda Kiko