Avokati Spartak Ngjela ka komentuar faktin që ish-kryeministri Sali Berisha iu drejtua gjykatës së Parisit për shpalljen “non grata” nga SHBA.
Ngjela tha, se ish kryeministrin e gënjyen. Sipas tij, duhet të kishte çuar çështjen në një gjykatë në Amerikë por nuk e bëri se i dilnin provat.“Deklarata politike nuk mund të fillojë dot çështje penale. Këta nguten. Berisha e atakoi në Francë, e gënjyen. Ka një afat ligjor dhe Saliu e ka humbur, ndaj është i formës së prerë. Ligji amerikan thotë se nëse nuk e atakon, pranon fajësinë.
Ai nuk e bënte dot në Amerikë se i dilnin provat. Kryeministri hyn kot në lojë. Ç’i duhet Ramës që i kërkon SPAK hetimin. Do një denoncim, pa denoncim nuk ka”, tha Ngjela. Ndër të tjera, ai ka komentuar edhe kërkesën e kryeministrit Edi Rama për SPAK, të cilëve i thotë që të hetojnë Sali Berishën, politikanët e tjerë si dhe gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Në një intervistë televizive, ai tha se SPAK është institucion sekret dhe hetimet fillojnë vetëm nëse bën denoncim FBI amerikane.
“SPAK është një institucion sekret sot, por fakti që ka folur kështu ka një tërheqje, e para si imponim kurse kjo sugjerim. Megjithatë do të kemi parasysh që shteti demokratik në një shoqëri kapitaliste nuk është shteti i qeverisë, është i gjykatës. Shiko ç’bëhet në Shqipëri, ngrihen çmimet ose ka gjëra që duhen zgjidhur përmes gjykatës, bën kryengritje ai tjetri.
Po gjykatat si janë? Këta i kanë prishur gjykatat. Sa i përket non gratës, nuk ka lidhje se është një dekret i DASH dhe nuk mund të kërkosh provat e Amerikës nga Tirana. Ajo e ka ndaluar të hyjë në Amerikë për arsyet e veta. Do ta çojë apo jo para gjykatës FBI, kjo është çështja e tyre. Nuk ka tagër kryeministri shqiptar. FBI amerikane që ka mbledhur provat dhe ia ka dhënë Administratës së Lartë Amerikane mund t’ia paraqesë SPAK-ut. Deri tani, FBI nuk ka bërë denoncim”, tha Ngjela.