Avokati Spartak Ngjela ka reaguar dje përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku është shprehur se politika antikorrupsion e drejtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli, duhet të vijojë në mënyrë të rreptë deri në masa ekstreme.
“Kurse politika antikorrupsion me kusht kundrejt qeverisë së Tiranës, e drejtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli, duhet të vijojë në mënyrë të rreptë deri në masa ekstreme, menjëherë sapo të dalim nga gjendja e sigurisë antiepidemike. Në të njëjtën kohë, korrupsioni shtetëror shqiptar duhet ta dijë se këtu drejton shkenca dhe normat antiepidemike me fuqi ligjore tani mbrohen nga Kodi Penal”, ka deklaruar Ngjela.
Ai ka folur edhe sa i takon situatës së krijuar nga COVID-19, teksa është shprehur se koha po ecën drejt eliminimit përfundimtar të rrezikut epidemik dhe kjo gjendje pozitive duhet të mbrohet me çdo mjet. Sipas avokatit korrupsioni shtetëror do të kërkojë hapjen me dhunë të karantinës. “Korrupsioni i lartë shtetëror do të kërkojë hapjen me dhunë të karantinës. Kjo është natyra e tij: me vdekjen masive të shqiptarëve ai do të kërkojë të krijojë destabilizimin shoqëror dhe, me të, të shpëtojë gjënë e vjedhur.
Korrupsioni politik shqiptar ka pasur shumë shpresë te epidemia e koronës, e cila në Shqipëri ndërkohë po shkon drejt fundit të vet. Ky korrupsion primitiv tani po e sheh se me epideminë dështoi, prandaj ka filluar të kërkojë prishjen e dhunshme të karantinës në funksion të shpërthimit epidemik. Kryeministri shqiptar nuk duhet të tërhiqet”, është shprehur Ngjela. Sipas avokatit masat antiepidemike janë të drejta dhe askush nuk duhet t’i shkelë ato. Sipas tij me anë të vdekjeve masive, korrupsioni i lartë shtetëror do të kërkojë të shpëtojnë atë që ai e quan gjë e vjedhur. “Askush nuk mund t’i shkelë kërkesat dhe kufizimet për mbrojte antiepidemike. Është e qartë që, me anë të vdekjes masive, korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar do të kërkojë të shpëtojnë gjënë e vjedhur. Këto orvatje duhet të goditen rëndë, nëse këta individë do të dalin me parulla anarkike kundër karantinës apo distancimit social. Sot gjithçka duhet të drejtohet nga shkenca, kurse kundër pështjellimit social që kërkon përhapjen e epidemisë, duhet të funksionojë menjëherë Kodi Penal i amenduar tani së fundmi”, ka thënë Ngjela ndër të tjera.