Shtohen zërat kritikë ndaj Lulzim Bashës pas humbjes në zgjedhje. Përveç 10 emrave që kërkojnë shkarkimin e tij është hedhur në tryezë edhe ideja për një bashkim të së djathtës.
Kandidati i Bindjes Demokratike për qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, propozoi që pas humbjeve në zgjedhjet e 25 prillit, të bëhet një riformatimi i opozitës. Sipas Kollozit vendi ka nevojë për një ofertë opozitare serioze, që të japë sigurinë se mund të zvogëlojë dëmin e bërë nga mazhoranca e që mund të japë mesazhe shprese.
“Pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ndjesia e parë e të gjithë atyre që e konsiderojnë veten opozitarë është domosdoshmëria e themelimit të një platforme të bashkimit të së djathtës. Një bashkim real ku çdonjëri të marrë përgjegjësinë, të vihet në shërbim duke kontribuar përtej interesave. Përpara se të shpallim kandidatura, të kërkojmë zgjedhje, të kërkojmë dorëheqje, le të bëjmë analiza! Shqipëria, ka nevojë ulëritëse për një ofertë opozitare serioze, që të japë garancitë se do të reduktojë dëmin, t’i shkurtojë ditët kësaj mazhorance dhe të japë mesazhin se kjo shoqëri e ka potencialin për të tejkaluar këtë moment”, tha Kollozi.
Kandidati i BD u shpreh se në kuadër të shqetësimit të të gjithëve si dhe eksperiencës botërore që është realizuar me sukses, duhet ngritur një platformë për bashkimin e së djathtës. Kollozi propozoi një sërë personalitetesh si Ridvan Boden, Arben Imamin, Dashamir Shehin, Besnik Mustafajn dhe Majlinda Bregun, që të bëhen bashkë dhe sipas tij të nisin punën për realizimin e këtij objektivi. “Eksperienca botërore, ka plot shembuj të ngjashëm, ku objektiva të tilla janë realizuar me sukses.
I nisur nga vullneti i mirë që buron nga përgjegjësia dhe shqetësimi i të gjithëve neve që aderojmë djathtas, propozoj që një grup personalitetesh të bëhen bashkë, të hartojnë një platformë që bashkon të djathtën! Emra si Ridvan Bode, Arben Imami, Dashamir Shehi, Besnik Mustafaj, Majlinda Bregu, por edhe të tjerë, mund t’i bashkohen këtij grupi. E të gjithë ne të nisim punën për realizmin e këtij objektivi”, tha ai.
Paralajmërohet mbledhja e firmave për shkarkimin e Bashës
Ndërkohë protestat për shkarkimin e kreut të PD, Lulzim Basha kanë vazhduar edhe ditën e djeshme ku mbështetës dhe ish-mbështetës të PD janë duke kërkuar mënyra për ta larguar Bashën nga drejtimi i partisë me çdo kusht. Këshilli Kombëtar me në krye Bujar Nishanin, gëzon kompetencat për hapjen e procedurës për shkarkimin e kreut demokrat, por Këshilli mund të mblidhet vetëm me miratimin e kryetarit të partisë.
Kështu që mundësia e dytë është mbledhja e firmave të ¼ -ës së anëtarëve, një mundësi e cila po shihet nga grupi anti-Basha. Sipas burimeve, do tentohet për një protestë masive në ditët në vijim për largimin e kreut të PD. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri u shpreh se ka nisur komunikimi me anëtarësinë dhe opinionin publik për mbledhjen e firmave. Ai i bëri thirrje Bashës për debat dhe diskutim mbi të ardhmen e PD teksa tha se firmosja e anëtarëve do të jetë vetëm hapi i parë për shkarkimin e tij.
“Kemi nisur proces komunikimi me anëtarësinë dhe opinionin publik. Do jetë debat në bazë dhe e ftoj zotin Basha dhe këdo e mbështet e keni parasysh për kë flas të dalin në bazë dhe të diskutojnë për të ardhmen e PD. Krahas firmës së ¼ të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, që duhen për të futur në rendin e punimeve te Kuvendit Kombëtar shkarkimin e Bashës, është vetëm hapi pari për të finalizuar shkarkimin. Ajo që bir në sy është se shkarkimin e Bashës e kërkojnë:
Arben Imami, Endira Bushati, Edith Harxhi, Ibsen Elezi, Pirro Ahmetaj, etj. Bëhet fjalë për të njëjtat figura që kanë protestuar prej vitit 2015 dhe akoma më shumë në 2017. Pirro Ahmetaj priste të kandidonte për deputet dhe u la jashtë. Ibsen Elezi u hoq si kryetar dege. Po ashtu dhe shumë figura të tjera u lanë pa poste në PD. Pra janë emrat e pakënaqur që u spostuan nga Basha që sapo ai mori drejtimin. Ndërkohë emra si Topalli e Patozi nuk flasin më, pasi në zgjedhje partitë e tyre dështuan totalisht. /sHKRUAR NGA ALEKSANDRA HOXHA/