Qeveria shqiptare është e vendosur për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin dhe evazion fiskal. Pas njësisë anti-KÇK, duket se gati është edhe njësia anti-korrupsion dhe evazion. Ishte kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi në shkurt të këtij viti ngritjen e njësisë së re speciale anti-Korrupsion, që do të pasojë paketën anti-KÇK dhe duket se ky pretim është bërë realitet.
Në datën 26 shkurt të këtij viti Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim, teksa vendos ngritjen e dy njësive të reja, të cilat do të jenë në varësi të Kryeministrisë dhe do luftojnë korrupsionin dhe evazionin fiskal. “Ngritjen dhe funksionimin e Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion (në vijim Njësia) si person juridik publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë; Njësia financohet nga buxheti i shtetit, burime te tjera te lejuara e të njohura nga legjislacioni ne fuqi, si donacione vendase e të huaja, dhe të ardhura të tjera të ligjshme; Misioni i Njësisë është koordinimi ndërmjet ministrive, institucioneve qendrore, në varësi të Kryeministrit a ministrave, administratës së prefektit dhe shoqërive tregtare, me kapital pjesërisht a tërësisht shtetëror, me qëllim zbulimin, trajtimin dhe ndëshkimin e praktikave abuzive, korruptive apo arbitrare”, thuhet në VKM.
Interesant është fakti se njësitë e reja anti-korrupsion dhe evazion do të kalojnë në skaner të gjithë tenderat, koncesionet dhe legalizimet. Sipas asaj që thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave, misioni dhe kryefjala e këtyre dy njësive është lufta ndaj korrupsionit në administratë. “Njësia do të përqendrohet në rastet korruptive, abuzive apo të shpërdorimit të strukturave të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, si më poshtë vijon: Administratë publike; Shërbime publike; Regjim i tokës (kompensimi, legalizimi, qiraja, koncesionet etj; Leje, licenca dhe autorizime; Prokurim publik; Shkelje të mundshme penale në fushën tatimore dhe doganore”, thuhet në vendim.
Më tej, në vendim thuhet se njësitë e reja Antikorrupsion dhe Antievazion do të kërkon nga institucionet çdo dokument, në mënyrë që t’i përdorin si prova për të fundosur të korruptuarit. “Institucioni, që i nënshtrohet kontrollit apo verifikimit nga ana e Njësisë, ka për detyrë të vendosë në dispozicion të Njësisë të gjitha dokumentet dhe materialet e kërkuara ose kopje të njësuara me origjinalin e tyre në kohën dhe mënyrën e kërkuar. Në rastet kur ka pengesë ligjore për vënien në dispozicion të dokumenteve të klasifikuara, këqyrja dhe marrja e tyre bëhen sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në VKM.
Por në vendimin e miratuar pak ditë më parë, qeveria ka ndarë edhe funksionet e njësive Antikorrupsion dhe Antievazion. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave këto dy njësi bashkëpunojnë me institucionet në varësi të Kryeministrit dhe ministrave për të nisur hetimet dhe të luftojnë korrupsionin. “Njësia ka këto funksione administrative: Mbikëqyr veprimtarinë inspektuese të institucioneve të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, për zbulimin dhe ndëshkimin e rasteve korruptive e abuzive; Koordinon institucionet për nisjen e hetimeve administrative apo auditimeve, kryesisht, me indicie nga institucione publike apo me kërkesë të subjekteve të interesuara, në rast dyshimi për praktika korruptive, që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi; Mbledh, analizon dhe verifikon të dhëna e prova nga burime të ndryshme, duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme në funksion të përmbushjes së detyrave, për aq sa nuk bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në VKM. Ndërkohë, sikundër thuhet në vendim këto dy njësi do të kenë në përbërje Kryeministrinë, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Brendshëm./RIGELS SELIMAN