Organizatat që zbatojnë programe të financuara nga qeveria amerikane në mbarë botën kanë filluar të shkurtojnë personelin, të mbyllen, ose po përgatiten për ndaljen e operacioneve, pas ngrirjes së pashembullt të gjitha ndihmave ndërkombëtare, të vendosur nga administrata e Presidentit Trump.
Të hënën, mbi 50 zyrtarë të lartë të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, që po merreshin me zbatimin e urdhrit të presidentit për ngrirjen e ndihmave, u pezulluan nga puna me pagesë. Drejtori në detyrë i USAID-it tha se ai po heton nëse zyrtarët po i rezistonin urdhrave të Presidentit Trump.
Qëndrimi i SHBA-së për dekada ka qenë që ndihma e dhënë vendeve të tjera, i kthehet mbrapsht Amerikës në formën e forcimit të sigurisë kombëtare, stabilizimit të rajoneve dhe përmirësimit të marrëdhënieve me partnerët.
LEXO EDHE:
Pas urdhrit të Trump, Ambasada e SHBA njofton ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, mes tyre dhe SPAK (LISTA)
Vendet aleate, ndër to Ukraina, po përpiqen të shpëtojnë një pjesë të fondeve për sigurinë e tyre nga masa e ngrirjes 90-ditore, të urdhëruar javën e kaluar nga Presidenti Donald Trump, që pezulloi gjithashtu edhe programet e ndihmave dhe kreditë federale brenda Shteteve të Bashkuara.
Administrata Trump thotë se urdhëroi ndalimin e ndihmës për vendet e tjera, për t’i dhënë kohë për të vendosur se cilat nga mijëra programet humanitare, të zhvillimit dhe të sigurisë do të vazhdojnë të marrin fonde nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë urdhëruan që programet t’i ndalnin shpenzimet menjëherë. Përjashtim bëjnë vetëm programet ushqimore emergjente dhe ndihmat ushtarake për dy vende aleate, Izraelin dhe Egjiptin.
Ngrirja do të thotë që p.sh. shkollave në Liberi do t’u duhet këtë javë të shkarkojnë kuzhinierët që u përgatisin fëmijëve drekën. Mund të ndalen përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar bizneset amerikane jashtë vendit dhe për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës. Veteranët në Ukrainë që marrin tek një linjë telefonike kur gjenden në situatë krize, mund të dëgjojnë së shpejti një mesazh të regjistruar, pa mundësinë për të folur me dikë.
Shtrirja globale e pasojave
Shtetet e Bashkuara janë deri më tani burimi më i madh në botë i ndihmave ndërkombëtare, megjithëse vendet e tjera japin një pjesë më të madhe të buxheteve të tyre. Shtetet e Bashkuara mundësojnë 4 nga çdo 10 dollarë që dhurohen për ndihma humanitare.
Punonjësit e ndihmave, zyrtarët lokalë dhe analistët theksojnë se shkalla e ngrirjes ishte e vështirë për t’u kuptuar.
“Komuniteti i ndihmave po përballet me faktin se sa ekzistencial është ky pezullim i ndihmës”, tha Abby Maxman, presidente e organizatës Oxfam America, një nga të paktët zyrtarë të ndihmave që janë të gatshëm të flasin publikisht për ndikimin e ngrirjes, pas paralajmërimeve të administratës së Presidentit Trump.
Por, shumë zyrtarët të administratës dhe ligjvënës republikanë besojnë se fondet e ndihmave për vendet e tjera duhet të shpenzohen në vend, ose të kursehen.
Ndihmat për ushtrinë e Ukrainës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se ngrirja nuk ndikon në mbështetjen jetike amerikane për ushtrinë ukrainase, ndërsa lufton forcat pushtuese ruse. Kjo është përgjithësisht e vërtetë.
E vetmja kategori e ndihmës ushtarake për të cilën është përgjegjës Departamenti i Shtetit dhe për këtë arsye përfshihet nga pezullimi, është financimi ushtarak i huaj dhe edukimi dhe trajnimi ushtarak ndërkombëtar. Janë edhe disa programe të tjera për operacionet paqeruajtëse të OKB-së dhe programet e çminimit.
Shumica e ndihmës ushtarake për Ukrainën është dhënë sidoqoftë nëpërmjet Pentagonit. Ajo përfshin një program që shfrytëzon rezervat ekzistuese të armëve dhe një tjetër të quajtur Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, e cila përdoret për të paguar kontratat e armëve që nuk do të dorëzoheshin për një vit ose më shumë.
Asnjë nga programet e Departamentit të Mbrojtjes nuk preket drejtpërdrejt nga ngrirja, megjithëse zyrtarët amerikanë thonë se as nuk është duke u përgatitur diçka.
Por programet civile jetike për përpjekjet luftarake të Ukrainës vijnë nga Departamenti i Shtetit. Nuk ka ndonjë njoftim për përjashtimin e këtyre programeve. Kjo përfshin mbështetjen e pagave që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për ta mbajtur funksionale qeverinë e Ukrainës, pavarësisht dëmeve të luftës tek ekonomia.
Kjo mbështetje është e rëndësishme, tha Bradley Bowman i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive. “Por unë mendoj se nëse aleatët tanë evropianë po e lexojnë mirë momentin politik në Shtetet e Bashkuara, ata më mirë të lëvizin, them me shpejtësi, në përpjekje për të marrë pjesën më të madhe të barrës, ose të gjithën”.
Preken fondet për veteranët e Ukrainës dhe programe të tjera
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar urdhëra ndalimi për programet civile për të mbështetur Ukrainën në luftë.
Këtu përfshihet edhe ‘Veteran Hub’, një organizatë jofitimprurëse që menaxhon një linjë telefonike për situata krizash, nga e cila përfitojnë rreth 1300 veteranë në muaj që telefonojnë për të kërkuar ndihmë sociale dhe psikologjike.
Pas marrjes së urdhrit për ndërprerje të operacioneve, Ivona Kostyna, drejtuese e projektit, kuptoi se mund të humbasë gati gjysmën e personelit prej 31 personash.
“Nëse do të kishim një muaj, le të themi, paralajmërim, madje edhe dy javë, do të ishte shumë më e lehtë për ne”, tha ajo. “Mund të kishim arritur disi të merrnim masat për një periudhë. Por thjesht nuk pati ndonjë paralajmërim”.
Disa ditë para ngrirjes së fondeve amerikane, ‘Veteran Hub’ mori një telefonatë nga dikush në prag të dëmtimit të vetvetes, tha zonja Kostyna. Një punonjës i linjës telefonike i dërgoi mesazh personit gjatë natës.
“Dhe tani ajo që kemi është një linjë që nuk funksionon dhe në thelb nuk ka përgjigje, gjë që është e tmerrshme për ne”, tha ajo.
Shqetësimet për humbje të terrenit përballë Kinës
Shtetet e Bashkuara janë përpjekur gjithashtu të shtojnë praninë e tyre në Paqësorin Jugor për të kundërshtuar ndikimin e Kinës, përfshirë edhe rritjen e shpenzimeve të USAID-it për vendet që janë ndër më të varurit nga financimi i programeve të zhvillimit.
Gjatë vizitave në Paqësor në 2024, zyrtarët njoftuan mbi 15 milionë dollarë në shpenzime të reja, për të përmirësuar reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, për të mbështetur rritjen ekonomike, për të ndihmuar vendet të përballojnë efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike dhe më shumë./ VOA