Gjykata penale e Parisit shpalli fajtor ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy për konspiracion kriminal në çështjen e financimeve të paligjshme nga koloneli libian Muammar Gaddafi. Ai u lirua nga akuzat për korrupsion pasiv dhe financim të paligjshëm të fushatës, por gjykata pranoi provat se Sarkozy përfitoi miliona euro për fushatën e vitit 2007.
Sipas akuzës, Gaddafi shpresonte që në këmbim i pari i Francës ta ndihmonte të rehabilitonte imazhin e tij ndërkombëtar. Hetimet nisën pas dëshmive të Saif al-Islam Gaddafit dhe biznesmenit libanez Ziad Takieddine, i cili deklaroi se kishte prova për transfertat prej rreth 50 milionë eurosh drejt Parisit.
Ky nuk është rasti i parë penal për Sarkozy, i cili që nga fundi i mandatit të tij është përfshirë në disa procese gjyqësore. Në vitin 2021 u dënua për korrupsion aktiv dhe trafik influence, ndërsa në 2024 u shpall fajtor për tejkalim të shpenzimeve zgjedhore. Gruaja e tij, Carla Bruni-Sarkozy, është gjithashtu nën akuzë për fshehje provash lidhur me dosjen Gaddafi, akuzë që ajo e mohon.
Ish-presidenti 70-vjeçar, i cili e konsideron çështjen të motivuar politikisht, ka paralajmëruar apelim. Vendimi e bën atë liderin e parë francez të pasluftës që përballet me një varg dënimesh penale, duke e rënduar trashëgiminë e tij politike.