Gazetari Nikoll Lesi, tha se Ilir Meta tani është një luan i dalë nga kafazi, teksa ka komentuar ndikimin e tij në opozitë.
Në një intervistë për Euroneës Albania, Lesi theksoi se kreu i Partisë së Lirisë po luan taktikisht mirë për këshillat bashkiakë.
“Meta është aktor i vjetër në politikë, është një luan i nxjerr nga kafazi, ka urinë e luanit brenda, mendoj se po loz taktikisht mirë për këshillat bashkiakë. Ai nuk po loz për kandidatët për kryetarë bashkie, por po bën një rrugë e dy punë. E para forcon partinë e lirisë me vota nga këshilltarët dhe ka çelësin në çdo Këshill bashkiak.
Meta thotë që faturën ta marrë Berisha për kandidatët, ndërsa ai loz për këshillat bashkiakë. Nuk e besoj që Metën e përjashtuan nga PES, kjo nuk e dëmton koalicionin Berish-Meta”- tha Lesi.
Më tej ai theksoi se nëse Apeli vendos për Enkelejd Alibeajn, punët trazohen në opozitë, dhe më pas do të ketë një front të madh opozitar të rrezikuar.
Lesi theksoi se Erion Veliaj nuk mund të mposhtet nga kandidatët politikë që mund të nxjerr opozita.
Ai tha se kryebashkiaku i Tiranës mund të përballohet vetëm nga një kandidat i shoqërisë civile.
“Berisha tha se kemi fituar me kandidat politikë, pra dha mesazhin se Ilir Alimehmeti nuk do të jetë kandidat në Tiranë. Një si ky që mund të dyzonte pjesën gri të votuesve, por çdo kandidat politik që vendoset nga opozita përballë Veliajt, ky i fundit e bluan e grin komplet absolutisht”- theksoi Lesi.
Sipas tij kandidatët politikë që janë në Tiranë, Belind Këlliçi, Gert Bogdani dhe Fatbardh Kadilli, Erion Veliaj i mund.
“Që të tre kandidatët politikë që janë në Tiranë, Erion Veliaj i bluan. Ai mund të përballohet vetëm nga një kandidat nga shoqëria civile. Edhe sikur Berisha me Metën të dalin bashkë në Tiranë, makineria gjigante e Erion Veliajt, e PS e Edi Ramës i gëlltit”- tha ai.