Filmi “Shpërthimi” i vitit 1974 prodhim i ish-Kinostudios është i pari për aktorin Nikolla Llambro në fushën e kinematografisë, për të vijuar më pas me dhjetëra role në filmat ndër vite.
Aktori vlerësoi, muaj më parë, punën që është bërë ato vite në ish- Kinostudio dhe thotë se nuk duhet të ndalohen filmat, që janë prodhime para viteve ’90, duke kundërshtuar dhe kërkesën e bërë për ndalimin e tyre.
“Filmat e prodhuara nga ish-Kinostudio Shqipëria e Re duhet të ndalohen me ligj si pjesë e propagandës komuniste”, kjo kërkesë është pjesë e nismës së depozituar në Kuvend nga një grup deputetësh demokratë, në kuadër të dekomunistizimit.
Por aktori Nikolla Llambro e quan një sulm monstruoz këtë që po bëhet për filmat shqiptarë, prodhime para viteve ’90 në vendin tonë.
Ai tha, kohë më parë, se dhe po të bëhet referendum 70 për qind e popullsisë do të duan, që filmi shqiptar të mos preket.
“Larg duart nga filmat. Jam kundër këtij sulmi monstruoz, që i bëhet denigrimit të një pune titanike shumë vjeçare, në kushte shumë të vështira të filmit. Propozoj të bëhet referendum popullor për këtë, se jam i bindur që më shumë se 70 për qind e popullit do jenë që filmi mos preket. Në se ndodh kjo masakër, unë personalisht do të shpërndaj me qindra, ndoshta mijëra kopje të filmit miqësisht”, u shpreh, kohë më parë, aktori Nikolla Llambro, që sot jeton dhe zhvillon aktivitetin artistik në shtetin grek.
Pasuria kombëtare nuk preket
Aktori Nikolla Llambro, i cili ka role në filma të ndryshëm shqiptarë thotë se nëse bëhet një seleksionim i filma vetë prodhuar në ish-Kinostudio, i bie që të mos mbetet asnjë film.
“Me sa jam informuar përciptazi nga “studimet e vyera” të këtyre myteberëve, dhe nëse bëjnë këtë seleksionim të prodhimtarisë së filmave në 30 vjetët e atëhershme i bie që të mos mbetet asnjë film i gjallë! Nuk korrigjohet veprimtaria politike as e njërës palë, as e palës tjetër duke masakruar atë që vërtetë është pasuri kombëtare. Po si në shumë aspekte të tjera të jetës së kaluar të këtij populli martir, që e masakruan e po masakrojnë, tani i erdhi radha filmit.
Larg duart nga kjo pasuri kombëtare se në fund nuk do të mbetet asgjë historike. Shumë drejtë ajo që tha miku im Mevlan Shanaj, që populli di të zgjedhë e të seleksionojë”, vijoi më tej aktori Llambro.
Aktivitetin në kinematografi Nikolla Llambro e fillon në vitin 1974 me rolin e Mitaqit në filmin “Shpërthimi” regjia Muharrem Fejzo, vijon më pas në 1975 me rolin e Aleksit në filmin “Në fillim të verës” me regji nga Gëzim Erebara. 1978 “Koncert në vitin 1936” me regji nga Saimir Kumbaro roli i shoferit Qemal, në vitin 1979 roli i Zeman Mashkullorës në filmin “Liri e vdekje”, regjia Ibrahim Muçaj, 1984 “Nata e Parë e Lirisë” regjia Esat Musliu roli i Gaqos, 1985 roli i Gogos në filmin “Gurët e shtëpisë sime” regjia Dhimitër Anagnosti, etj.
Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Realizimi i parë i saj është bashkëprodhimi shqiptaro-rus “Skënderbeu”.