Ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje! Ditën e sotme shteti ka sekuestruar një pallat pa leje në zonën e Liqenit të Thatë, që u denoncua një ditë më parë edhe nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili me tone të ashpra tha se një shef komisariati ‘mbronte’ pallatin.
Pallati 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, është ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria, ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se ky është rasti më flagrant i shkeljes së ligjit dhe pikërisht për këtë arsye aksionin e nisën nga ky subjekt.
Report Tv ka mësuar se subjekti është në pronësi të biznesmeni Julian Morina, i njohur ndryshe edhe si Lul Morina. Report Tv mëson se pronari ndërtues Juljan Morina kishte aplikuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për legalizimin e objektit pa leje në 15 dhjetor të vitit 2021, ndonëse e kishte ndërtuar pa leje, por kërkesa ishte refuzuar. Morina në vitet 2013-2014 ka qenë donator në Klubin Tirana.
Morina është një prej biznesmenëve të rrallë shqiptarë që e vë në dukje pasurinë e tij në rrjetet sociale, duke postuar foto nga udhëtimet e tij, makinat e shtrenjta, një prej tyre ‘Rolls Royce’ dhe jahtin që e ka të emëruar me mbiemrin e tij ‘Morina’. Ndërsa nuk mungojnë as fotot nga hotelet luksoze në jug të Shqipërisë.
“Ndodhemi sot në zonën e Farkës. Ky është komunikimi i parë publik që ne po bëjmë sa i përket vendimit që u mor me VKM, është një VKM që ka të bëjë më ndërtimet pa leje që do të konfiskohen dhe përdorim në të mirë publikut. Ky është një shembull dhe pse kemi zgjedhur të vijmë në Farkë dhe të zgjedhim këtë ndërtese. Ky është shembulli më flagrant simbolikë e shkleses së ligjit. 2 kate nën tokë dhe 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Sesi kjo ka ndodh është një mister për ne”, tha Balluku.
Lul Morina ka pasur lidhje me dy biznesmenët indianë Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara, të shpallur në kërkim nga India për ‘zhdukjen’ e 725 milionë dollarëve. Nitin Sandesaras me biznesmenin Lul Morrina kanë qenë partnerë sëbashku, madje edhe kanë investuar në ndërtimin e bizneseve të ndryshme. Më herët në media është shkruar se Lul Morina dhe Nitin Sandesaras mendohet se kanë shpenzuar mbi 33 mln USD në projekte ndërtimi në Shqipëri, duke përfshirë edhe një resort turistik në zonën më të vizituar të rivierës shqiptare. Në media është shkruar se Julian Morina e përfundoi ndërtimin e resortit ‘Morina Palace’ menjëherë pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Sandesaras.
Sipas VKM-së së miratuar ditën e djeshme, biznesmenit Morina do t’i jepen dy mundësi për të këtë objekt. Balluku shpjegoi se mundësia e parë është që investitori ta blejë pallatin me çmim tregu ose t’ia dhurojë atë shtetit. Në këto dy raste, investitori i shpëton ndjekjes penale dhe subjekti i legalizohet, por është i detyruar të paguajë një gjobë.
Nëse investitori Morina vendos të blejë subjektin, paratë do të shkojnë për shpronësimet e familjeve që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe. Nëse Morina vendos që t’ia dhurojë qeverisë subjektin, Balluku tha se prona do përdoret për banesa sociale ose për të strehuar banorët e Unazës së Madhe.
Në të kundërt, nëse investitori nuk pranon asnjërën nga dy mundësitë e parashikuar në VKM, subjekti do t’i konfiskohet nga shteti dhe më pas do të fillojë ndjekja penale e investitorit Julian Morina. Edhe në këtë rast nuk i shpëton gjobës. Qeveria do të ulet në bisedime me investitorin dhe pritet të dalin me një vendim.
Vendimi i qeverisë nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi, duke përjashtuar ndërtesat të cilat janë të paligjshme por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre për të strehuar familjet. Godina edhe mund të shembet vetëm në rastet kur IKMT vlerëson që nuk përmbush kriteret urbane apo të sigurisë së strukturës.